Nga: ILIR KALEMAJ*
Edhe sivjet, Vlora katandisur si mos më keq! Brenda pak viteve duket se ka përfunduar, nga “mbretëreshë” e turizmit shqiptar, në “lëneshë” …… të ngelur rrugëve pa rrugë. Nga ta nisësh?! Rruga “Ali Demi”, as 50 metra nga bashkia, e domosdoshme për këdo që shkon për në fshatrat e bregut të lumit, për spital apo varreza, e bën Kabulin me turp. Tetë muaj pas hapjes së punimeve, asgjë nuk lëviz. Ndërsa rruga prej më pak se një kilometër përgjatë plazhit të vjetër deri te Triporti si rrugë Kandahari, do të paktën njëzet minuta të mira të përshkruash ato qindra metra.
Për të mos folur për rrugën e shumërrahur nga Skela te Tuneli, përgjatë Lungomares fantazmagorike, ku të duhen nja dy orë të mira për të përshkruar atë që me ecje në këmbë mund ta bësh fare mirë për 7-8 minuta. Akoma më dramatike është se nuk parashikohet as në planin ekzistues të qytetit, as ka ndonjë projekt për nyjën gordiane te vendi i quajtur “Kalaja”, ku përplasen shumica e makina që shkojnë e vijnë për në detin Jon. Ndërsa By-Pass-i i famshëm në hyrje të Vlorës ka më se dhjetë vjet që është bërë “legjendë urbane” dhe është inauguruar disa herë me radhë dhe, me ç’duken bathët, jemi ende në fazën e studimeve të fizibilitetit dhe do shkojë edhe një dekadë tjetër që ta shohim të materializuar.
Edhe rrugës Transballkanike që përfundoi pas inaugurimit të tretë a të katërt, i mungon krejt sinjalistika dhe duket më shumë si rrugë qyteti-fantazmë sesa si rrugë qyteti europian në një vend që, siç premtoi në fushatë elektorale kryebashkiaku i ri i Vlorës, do kthehet në kryeqendrën e Mesdheut. Vini re, vini re! Kryeqendrën e Mesdheut se atë të Ballkanit e kemi tejkaluar tashmë. Pra duke tejkaluar edhe Barcelonën, Nisën, Monte-Karlon e me radhë.
Plehrat vazhdojnë të digjen; helbete, kryebashkiaku i ri premtoi se e zgjidhi brenda 24 orësh si problem. Kësaj populli i thotë: “Të marrësh flakë si pushka e jevgut”. Po i zgjidhi kështu të gjitha problemet dhe t’i mbajë kësisoj premtimet, vaj vatani, mjerë mileti. Ndërtime të lëna përgjysmë që kanë kafshuar trotuaret i gjen të hapërdara përgjatë gjithë bulevardit. I vetmi qytet bregdetar pa një shëtitore buzë detit. Ndërsa ai llagëpi italian “Lungomare” është bërë barsoletë, nga ato që po prodhon me tepri shtypi veror me politikanë që shullëhen hem brigjeve të Jonit, hem të Adriatikut. Sa për statistikë krahasuese, Nisa në jug të Francës ka nja 5 km shëtitore të ndërtuar që para 200 vjetësh, kur mjetet ishin primitive dhe nuk ekzistonte teknologjia e sotme.
Në deklaratën e fundit u vu një datë e re, 23 gushti i vitit të ardhshëm. Domethënë, dy vite të hedhura në kosh, një tjetër ikën për inerci, data qëllimisht përkon me fundin e sezonit turistik të radhës, që të shtyhet më tej në “kalendat greke”, ndërsa viti pasardhës është sërish vit elektoral dhe shitet si realizim plani. Pra së paku katër vjet pas premtimit elektoral. Në vend të lajmeve të sponsorizuara, Vlora ka nevojë për përveshje mëngësh, për ta kthyer në qytet dinjitoz, aq më tepër që ka mbi dy vjet që pushteti lokal dhe ai qendror i përkasin të njëjtit formacion politik dhe kryeministri është deputeti i parë i qytetit.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: