VLORE- Policia e Vlorës arrestoi të enjten një 43 vjeçar nga ky qytet, i cili ishte shpallur në kërkim i dyshuar për kontrabandë karburantesh.

Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, Astrit Laze, pronar i anijes “Karaburuni” u arrestua në kuadër të një operacioni që ka nisur më shumë se një muaj më parë dhe që ka si synim bllokimin e kontrabandës së karburanteve nga Italia në Vlorë.

Në kuadër të këtij operacioni policia e Vlorës arrestoi në datën 31 janar të këtij viti me të njëjtën akuzë, 53 vjeçarin Mondi Veshaj, pronar i një pike të tregtimit të karburanteve, ndërkohë që sekuestroi anijen “Karaburuni” me të cilën dyshohet se kontrabandohej naftë nga Italia.

Ndërsa, në datën 25 janar të këtij viti, policia bllokoi dhe sekuestroi në pikën e tregtimit të karburanteve “Kastrati”, në fshatin Sherrishtë, 7 km në lindje të Vlorës, 3500 litra naftë, e cila ishte importuar në mënyrë ilegale nga Italia. Për këtë qëllim, uniformat blu kishin prangosur edhe shtetasit Eduart Alliaj e Levzat Canaj. Gjatë ecurisë së procesit hetimor, sipas policisë, u siguruan prova që bëjnë përgjegjës edhe pronarin e kësaj pike karburanti, 53 vjeçarin Veshaj.

Gjatë kësaj periudhe, vijuan hetimet për të zbardhur skemën e kësaj kontrabande të tregtimit të naftës pa akcizë, si dhe identifikimin e prangosjen e personave të tjerë që dyshohej se ishin përfshirë në këtë aktivitet.
Gjithashtu, u dërguan për analiza edhe kampione të naftës së sekuestruar, për shkak se cilësia e saj ishte jashtë parametrave që parashikohen për tregtim dhe e dëmshme për automjetet.

Të arrestuarit në këtë operacion, akuzohen për veprën penale “Kontrabandë të mallrave për të cilat paguhet akcizë”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb