Vlorë- Një alarm për eksploziv në një makinë është raportuar në polici pasditen e sotme në qytetin e Vlorës. Gazetari Enrik Mehmeti raporton për BalkanWeb se makina është Mercedes Benz E Class me targa “AA 230 OX” dhe se në mjetin tip ‘Benz’ u gjet një pako e zezë. Pakoja dyshohet se përmbante 300 gram lëndë eksplozive.

Policia ka shkuar me urgjencë në zonën e “Ujit të Ftohtë” për të zbardhur ngjarjen dhe forcat xheniere sapo kanë kryer edhe shpërthimin e kontrolluar të pakos që u gjet në mjet.
Ishte vetë pronari i mjetit me inicialet E.S, i cili njoftoi menjëherë policinë rreth orës 18:55, pasi pa një objekt në qese të zezë.

Njoftimi i policisë:
Vlorë Informacion paraprak Më datë 15.12.2017, rreth orës 18:55, Salla Operative Vlorë është njoftuar nga një telefonatë prej shtetasit E.S., 30 vjeç, pasi dyshon se rreth 2 m larg, përpara mjetit të tij tip ”Benz”, në lagjen ”Uji i Ftohtë”, dallon një qese plasmasi të zezë dhe dyshon se ka lëndë eksplozive. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilët kanë konstatuar se, në rrugë, rreth 2 m përpara mjetit tip ”Benz” gjendet një objekt i mbështjellë me qese të zezë. Policia ka rrethuar zonën për të mbajtur larg perimetrit të rrezikut banorët përreth. Janë njoftuar e janë duke ardhur edhe Forcat Xheniere për të vlerësuar situatën dhe përcaktuar çfarë objekti është.
(I.Ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb