TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi denoncon sot një rast informaliteti në shëndetësi. Sipas saj. Drejtoresha e Drejtorisë Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë ka ngelur 2 herë në provimin e shtetit.

“Shëndetësia, sektori më i rëndësishëm në vend, sektori nga ku varet jeta e qytetarëve, është zhytur në korrupsion të thellë, dhe po qeveriset sot nga klientela dhe interesat financiare. Edi Rama po ulëret për informalitetin, por shihni çfarë ndodh me ilaçet. Drejtoresha e Drejtorisë Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë, ajo që duhet të kontrollojë cilësinë e ilaçeve, ka ngelur në provimin e shtetit. Madje ka ngelur dy herë me radhë. Pra, ajo nuk mund të ushtrojë dot profesionin e farmacistes, por ama është bërë kryefarmacistja e vendit, falë lidhjeve politike e financiare. Ky është një informalitet skandaloz që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”,- tha Vokshi në një deklaratë për mediat.

Vokshi vijon më tej me denoncimet duke shtuar se “Ish-drejtori i Qendres së Kontrollit të Barnave, i kapur nga KLSH për abuzime, i akuzuar për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentash, është promovuar me Edi Ramën, dhe është bërë Drejtor i Rimbursimit në Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, pikërisht aty ku plasi skandali me faturat dhe recetat fiktive e me fitimet marramendëse me skemën kriminale që ishte ngritur. Ky është një informalitet i padëgjuar ndonjëherë. Korrupsion dhe kapje e shëndetësisë, biznes me jetën e qytetarëve. Edi Rama ulëret për informalitetin, por shihni çfarë ndodh në Agjensinë e Kontrollit të Barnave dhe Paisjeve Mjekësore. Gjatë muajve korrik-gusht janë emëruar nga Ministri Beqja, 13 punonjës, vetëm 3 prej tyre kanë arsimin e kërkuar me ligj, 9 të tjerët vijnë nga lidhje informale, politike, nepotike e korruptive. Këto janë pra standartet e Edi Ramës. Ky është informaliteti më i rrezikshëm në vend, i mbjellë nga ai vetë dhe Beqja i tij, në sektorin më të rëndësishëm, në shëndetësi aty ku varet jeta e shqiptarëve. Ai është krijuesi, themeluesi dhe ushqyesi i informalitetit dhe skemës skandaloze korruptive në shëndetësi e kudo”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: