TIRANE – Autoritetet policore në Holandë kanë nisur një hetim administrativ për të zbuluar motivin e vonesës së identifikimit të Arben Frrokut, raporton “Tv Klan”. Nga ky hetim pritet të përcaktohet se përse u vonua zbulimi i identitetit të vërtetë të të dënuarit me burg përjetë, i cili mund të kishte fituar sërish lirinë.

Me 17 Maj Frroku do të lirohej nga qendra e pritjes së emigrantëve me kushtin që të largohej nga Holanda. Në të kundërt do të deportohej me forcë. Ai ishte ndaluar me 6 Mars gjatë një kontrolli rutinë të policisë, në Shipol, në periferi të Amsterdamit.

Nga veprimet e para hetimore është konstatuar se ka patur një problem me njohjen e shenjava të gishtave të Frrokut nga sistemi ku regjistrohen personat e kërkuar. Pasi është ndaluar fillimisht nga policia në Amsterdam, Frrokut i janë marrë shenjat e gishtave, por shenjat qe gjendeshin në sistem nuk janë hapur. Emri i Arben Frrokut nuk figuronte as në listën e të kërkuarve nga Interpoli.

Megjithatë autoritet holandeze nuk e kanë liruar, për shkak të pasaportës së falsifikuar. Deklaratat e ish – Kryeministrit Sali Berisha se Frroku është ndaluar në Amsterdam kanë vënë në lëvizje policinë shqiptare. Vetëm pas kësaj shenjat e gishtave të Arben Frrokut janë dërguar nga Shqipëria në Holandë, ku janë krahasur dhe është vërtetuar se bëhet fjalë për të dënuarin me burg përjetë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb