KOSOVE– Policia e Kosovës ka arrestuar në orët e mbrëmjes së të dielës dy persona, në kuadër të hetimeve për rastin e vrasjes së 16-vjeçarit Aulon Zeka.

Me rekomandim të Prokurorit të Shtetit, dy të arrestuarit janë dërguar në Qendrën e mbajtjes për 48 orë.

“Ndaj dy të arrestuarve, një femër dhe një mashkull, që të dy të mitur, policia po zhvillon hetimet lidhur me dyshimet e ngritura nëse të njëjtit ndërlidhen në ndonjë formë me rastin në fjalë”, ka thënë Borovci për Express, që ka raportuar më herët se i dyshuari kryesor për vrasjen është një i ardhur nga Amerika, G.H., me të cilin kishte pasur edhe një herë tjetër probleme.

Arrestimin e këtyre dy personave, për klan Kosovën e ka konfirmuar edhe prokurori i rastit Valdet Gashi.

Ndërkohë, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se policia po zhvillon hetimet ndaj dy të arrestuarve “lidhur me dyshimet e ngritura nëse të njëjtit ndërlidhen në ndonjë formë me rastin”. Jozyrtarisht, Express ka mësuar se vajza e arrestuar është e dashura e të dyshuarit për vrasjen e Zekës.

Auloni, i cili ka edhe një motër e vëlla, u vra me katër plumba, të shtunën në Prishtinë. Trupit të tij i është bërë ekspertiza, ndërsa varrimi është kryer të dielën në orën 17:00.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: