Vrasja e 21-vjeçarit Antonio Mastrodonato, më 12 shkurt në Trani, Itali, ka ndodhur pas një përplasjeje mes grupeve kriminale për kontrollin e trafikut të drogës në territor.

Ky është rezultati i hetimeve të drejtuara nga Prokurori i Barit Giuseppe Maralfa me kolegun e Tranit Marcello Catalano.

Hetimet e policisë kanë bërë të mundur rindërtimin e dinamikës së krimit, e kryer në mes të ditës në një zonë qendrore të qytetit, ndërsa siç shihet nga imazhet e kamerave të mbikëqyrjes të marra nga hetuesit – një grua me një karrocë kalonte në momentin e ngjarje në rrugë.

Dy ditë pas krimit u ndalua Giulio Vitolano, i cili rrëfeu se ishte autor i vrasjes. Hetimet e mëvonshme kanë mundësuar identifikimin e dy bashkëpunëtorëve të tjerë, Alessandro Corda si dhe shqiptari Albi Duda të cilët e prisnin Vitolanon në makinë për ta ndihmuar për t’u arratisur pas krimit. Ka përfunduar në pranga edhe një mik i viktimës, Alessandro Brescia, i cili akuzohet për tentativë vrasjeje të Vitolanos, i riu që mori përsipër krimin.

VRASJA

Një ditë para vrasjes, viktima Mastrodonato kishte rrahur Vitolanon dhe Cordan gjatë një sherri në një sallë lojërash.

Më pas të dy kishin planifikuar pritën për të ndëshkuar Mastrodonaton për dhunën dhe sherrin e lindur pas debateve që kishin të bënin me kontrollin e tregtisë së drogës në Trani.

Rreth orës 16:45 më 12 shkurt, ndërsa Vitolano ndiqte Mastrodonaton për ta vrarë, shoku i këtij të fundit,  Brescia u përpoq për të ndaluar vrasësin e shokut të tij duke i drejtuar një armë lodër të modifikuar, e cila, megjithatë, nuk do të kishte ndaluar gjë.

Të ndaluarve u janë lexuar akuzat për vrasje e tentativë vrasje, mbajtje e armëve të paligjshme, të gjitha krime të metodave mafioze, raporton Repubblica.it.

21-vjeçari Mastrodonato që kishte precedentë penalë për drogën, ishte djali i Vincenzo Salvatore Mastrodonato, i dënuar me 8 vjet e 8 muaj burg si pjesëtar i një grupi që kishte marrë peng një korrier droge pasi kishte humbur paratë e nevojshme për të blerë drogën në Torino.

Gjatë pyetjes nga policia, dy bashkëpunëtorët Corda dhe shqiptari Albi Duda janë gjendur në vështirësi për t’u përgjigjur. Gjykatësja Maria Grazia Caserta, duhet të vendosë nëse do ta quajë të vlefshëm apo jo arrestimin e të dyve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb