Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri ka reaguar pas vrasjes së drejtorit të OSHEE Vlorë, Roland Saliut. Gjiknuri me anë të një mesazhi publik ka shprehur keqardhjen e tij për humbjen e mikut dhe bashkëpunëtorit të shkëlqyer Roland Saliu. Gjiknuri ka shprehur ngushëllimet më të thella për familjen, bashkëshorten Olën dhe tre fëmijët, të cilët humbën tragjikisht njeriun e tyre më të dashur.

Roland Saliu është emëruar në krye të OSHEE në Vlorë në nëntor të vitit 2015. Ndërkohë viktimë ka mbetur edhe biznesmeni Erven Hyseni, i cili mendohet se ka qenë edhe objektivi.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 në mes të qytetit të Vlorës, pranë një lokali, ndërsa Roland Saliu ka humbur jetën në vendngjarje pa pasur mundësi të dërgohet në spital.

Mendohet se autorët të kenë qenë të maskuar, të paktën sipas dëshmitarëve. Fill pasi kanë qëlluar me armë, autorët janë larguar me një makinë nga vendngjarja.

Nuk dihen ende shkaqet dhe motivet e ngjarjes, ndërsa policia vijon hetimet.

Mesazhi i ministrit Damian Gjiknuri:

Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen tragjike te mikut dhe bashkëpunëtorit të shkëlqyer Roland Saliu. Ngushëllimet më të thella për familjen, bashkëshorten Olën dhe tre fëmijët, të cilët humbën tragjikisht njeriun e tyre më të dashur. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike humbi një prej drejtuesve më të përkushtuar. Qyteti i Vlorës humbi njeriun që u përpoq çdo ditë të jetës së tij ti shërbente qytetarëve. Lutjet shkojnë për shpirtin e tij që të prehet në paqe dhe për familjen që Zoti t’i japë forcë në momentin më të vështirë të jetës së tyre! Lamtumirë i dashur Landi!

(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb