NGA: Ina Allkanjari
Vrasja e bashkëshortëve Aleko dhe Afërdita Kosta jo vetëm ka tronditur, por edhe ka habitur tejet banorët e qytetit të Gjirokastrës. Sipas tyre, është hera e parë që në këtë qytet, një konflikt për çështje pronësie të arrijë deri në vrasje. Në lidhje me krimin e dyfishtë kanë reaguar edhe gazetarë të qytetit të Gjirokastrës, të cilët i njihnin nga afër dy viktimat.

“Jam shumë i prekur dhe ngela pa frymë kur e dëgjova për ngjarjen tragjike. Akoma s’e besoj që miku im Aleko nuk është më”. Kështu tha dje gazetari i njohur, Engjëll Seriani, i cili vetëm tri ditë më parë ishte takuar me Aleko Kostën, i cili ishte pjesë e bandës muzikore të Bashkisë së Gjirokastrës. Seriani deklaroi se dy viktimat ishin njerëz të mirë, të qetë e të respektuar në të gjithë qytetin.

Ndërkohë, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Egjëll Seriani tregoi me detaje takimin e fundit me mikun e tij muzikant, ndërsa u shpreh se ngjarja e rëndë i ka befasuar të gjithë. Kjo për faktin se ky qytet njihet për qytetari. “Në Gjirokastër ka shumë konflikte pronësie dhe gjyqe pronësie, por asnjëherë tjetër nuk ka ndodhur që ato të degjenerojnë në ekstremitet. Ka ndodhur që palët në konflikt të jenë sharë apo rrahur, por jo deri në vrasje, siç ndodhi në rastin e bashkëshortëve Aleko dhe Afërdita Kosta. Më vjen shumë keq për këtë që ndodhi”, tha gazetari Seriani.

Si u njohët me lajmin tragjik për vrasjen e bashkëshortëve Kosta?
Vrasjen e mikut tim të shtrenjtë, Aleko dhe bashkëshortes së tij, Afërdita e dëgjova në media. Në orët e para të mëngjesit dëgjova për largimin nga jeta të muzikantit dhe mikut tim të fëmijërisë njëkohësisht.

Si e pritët lajmin, ishit në dijeni të konfliktit të të ndjerit me kushëririn e tij?
Është një ngjarje shokuese, jam shumë i prekur, akoma s’e besoj që miku im Aleko nuk është më. Ngela pa frymë kur e dëgjova lajmin. Nuk kam njohje për konfliktin, por sido që të ketë qenë, nuk meritonin një fund të tillë. Për më tepër mesa u tha edhe publikisht, konflikti ishte brenda familjes.

Kur e keni njohur muzikantin Kosta e si mund t’i përshkruani dy bashkëshortët?
E njihja që në fëmijëri, kemi qenë në një lagje. Kam shumë kujtime me të ndjerin Aleko, i cili do të mbetet një mik i pazëvendësueshëm. Dy viktimat ishin njerëz të mirë, të qetë e të respektuar në të gjithë qytetin. Aleko ishte një muzikant me emër, ndërsa bashkëshortja e tij ishte mësuese shumë e përkushtuar në profesionin e saj.

Si u njoh Aleko me bashkëshorten e tij Afërdita?
Aleko u kthye nga emigracioni para 5-6 vitesh. Në këtë periudhë ai njohu zonjën Afërdita dhe të dy së bashku rigjetën jetën bashkëshortore. Ata gëzonin respekt dhe admirim nga të gjithë.
Intervisten e plote mund ta lexoni ne GSH.al:http://www.gsh.al/2017/10/26/vrasja-e-dyfishte-engjell-seriani-ju-tregoj-takimin-e-fundit-mikut-tim-kosta-ja-per-cfare-folem/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb