* Policia: I plagosuri, Elvis Gacaj ishte shenjestra. Personi me precedentë penal, i akuzuar për vrasje e grabitje 
* Krimi dyshohet për pazare droge
* Gjendet në Lanë kallashnikovi
* 29-vjeçarja kishte tërhequr një shumë të madhe parash në bankë

TIRANË- Policia e Tiranës ka vendosur 10 mijë euro shpërblim për personat që japin informacion për autorin apo autorët e vrasjes së djeshme. Më shumë se 14 orë pas ngjarjes së rëndë që tronditi kryeqytetin shqiptar, ku mbetën të vrarë dy të rinj dhe u plagos një 39-vjeçar, Policia eka arritur të gjejë edhe armën e krimit. Menjëherë pas vrasjes, grupi hetimor është fokusuar tek gjetja e armës së krimit, për të cilën që në fillim u dyshua se ishte hedhur në lumin Lana dhe sot pas orësh të tëra kërkimesh, polumbarët kanë gjetur në Lanë, pranë vendit të ngjarjes, armën automatik kallashnikov.

HETIMET
Policia e Tiranës është duke punuar intensivisht për zbardhjen e vrasjes së dyfishtë që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në kryeqytet. Mësohet se ditën e sotme grupi hetimor ka ushtruar kontroll në banesën viktimës, Kevin Rugova, ku është gjetur një sasi e vogël kokaine. Ndërkohë gazetari Spartak Koka tha se Rugova (viktima) dhe Gacaj (i plagosuri) sipas policisë ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe se atentati dyshohet për pazare të prishura për drogën jashtë Shqipërisë. Kjo mbetet pista kryesore hetimore, e krimit ku shënjestra dyshohet të ketë qenë pikërisht Elvis Gacaj. Ky i fundit, rezulton person me precedentë penalë, i akuzuar për “Vrasje”, “Grabitje” e vepra të tjera.

Aurora Oskyan dhe Kevin Rugova, mbetën të vrarë dje pas një atentati pranë lulishtes “1 Maji” në Tiranë. Dje në vendngjarje u gjetën edhe 6 gëzhoja pistolete dhe 23 gëzhoja kallashnikovi.

Ndërsa po i kushtohet rëndësi edhe një piste tjetër që lidhet me viktimën Kevin Rugova, që sipas Policisë kishte bërë një sherr me një mikun e tij disa ditë më parë për çështje droge. Burimet thanë se kjo pistë përforcohet edhe nga identifikimi i një autori të mundshëm, i cili rezulton shok i Rugovës.

Nga ana tjetër, nisur nga mënyra se si është qëlluar dhe për faktin që pjesa më e madhe e plumbave të automatikut janë shkrepur mbi trupin e 29­-vjeçares Aurora Oskian, burimet dyshojnë edhe për ndonjë sulm për motive xhelozie, apo edhe për diçka më të rëndë se kaq, nisur nga disa sende që asaj i janë gjetur në çantë. Burimet thanë se Oskian kishte me vete një biletë udhëtimi për në Londër, vend ku shkonte shpesh pasi kishte familjen atje, si dhe një faturë banke, që tregonte për një shumë të konsiderueshme parash që ajo kishte tërhequr dje. Kjo i ka orientuar hetuesit edhe drejt një linje të mundshme trafikimi dhe pastrimi parash, megjithatë ende nuk është tërësisht e sqaruar.

SHPËRBLIMI
Policia e Tiranës, ka vendosur në dispozicion shumën prej 10 mijë eurosh për personat që japin informacion për autorin/ët e ngjarjes së mbrëmshme në zonën e “1 Majit”. Gjithashtu policia vendos edhe një numër kontakti për çdo informacion: 069 41 15 502.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: