TIRANE- Kamera të tjera sigurie janë sekuestruar në lidhje me vrasjen e mistershme të ish-policit Ajet Zeqaj, e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në kryeqytet. Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se asnjë prej 10 kamerave të sekuestruara një ditë pasi ndodhi ngjarja, nuk kanë mundur të filmojnë lëvizjet e autorit, çka po e bën edhe më të vështirë identifikimin dhe vënien e tij në pranga.

Në lidhje me këtë gjë, Policia e Tiranës është duke këqyrur disa pamje filmike të kamerave të sigurisë të disa bizneseve përgjatë “Sheshit Ëillson” si dhe rrugicave të kësaj zone. Kështu, hetuesit e çështjes janë ende duke parë se në cilin drejtim është arratisur vrasësi pas krimit të kryer. Ndërkohë, në polici janë marrë në pyetje edhe disa të afërm të Leonorës, ish-bashkëshortes së Zeqajt, të cilët kanë mohuar se mund të kenë lidhje me krimin. Burime pranë policisë thanë për “GSH”, se familjarët e gruas kanë pohuar se pavarësisht prishjes së martesës së tyre, dy familjet nuk kanë pasur konflikte mes njëra-tjetrës. Gjithashtu, mësohet se hetuesit kanë shoqëruar për të marrë në pyetje edhe disa persona të tjerë, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.

41-vjeçari nga Tepelena u ekzekutua me 2 plumba në kokë vetëm 20 ditë pasi ai ishte kthyer nga Franca. Autori, i veshur me të zeza, me doreza në duar dhe me një kapele në kokë, e kreu vrasjen me armë me silenciator. Pas krimit, ai u largua nga vendi i ngjarjes nëpërmjet tunelit të një pallati, në rrugën “Nikolla Tupe”, duke lënë disa metra larg trupit të viktimës edhe armën e krimit. Në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi pistoletën tip “Bereta”, me 6 fishekë me silenciator. Nga hetimet paraprake dyshohet se krimi mund të jetë kryer nga vrasës me pagesë, për prishjen e hesapeve të drogës, gjatë kohës që Zeqaj ka jetuar në Tepelenë. Por, nuk përjashtohet edhe mundësia që 41-vjeçari të jetë ekzekutuar për shkak të ndonjë konflikti që mund të ketë pasur në Francë, apo edhe për çështje hakmarrjeje, pasi në shkurt 2013, blutë e kryeqytetit arrestuan tre persona me 100 kg hashash, ku mes tyre ishte edhe Fatmir Zeqaj, vëllai i viktimës.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb