TIRANE- Vëllezërit e Leonora Hysenit, ish-bashkëshortes së Ajet Zeqajt, ekzekutuar në ish Bllok, me të cilën ai kishte tri vajza, në deklarimet e tyre në polici kanë dhënë në disa raste dëshmi kontradiktore rreth konflikteve që ata kishin pasur me viktimën, por edhe rreth vendndodhjes së tyre në momentin e ngjarjes.

Dy prej tyre kanë deklaruar thjesht se nuk ndodheshin në Tiranë natën e ngjarjes, ndërsa dy të tjerët kanë deklaruar se ishin në Tepelenë. Ata kanë mohuar kategorikisht përfshirjen në ngjarje, qoftë drejtpërdrejt, qoftë nëpërmjet ndonjë personi tjetër.

Madje kanë pasur edhe alibi, duke pretenduar se natën kur ka ndodhur vrasja e Ajet Zeqajt, ata nuk ndodheshin në Tiranë dhe ngjarjen e kanë mësuar të nesërmen. Ata kanë pretenduar se i ka lajmëruar motra e tyre për ngjarjen, duke u kërkuar që të shkonin bashkë në varrimin e ish-bashkëshortit të saj, pasi edhe vajzat duhej të ishin të pranishme në ceremoni Por të katërt kanë pretenduar se kanë qenë të gjithë bashkë atë natë.

Sipas Policisë, nga të gjitha të dhënat e mbledhura deri tani, ekzekutimi i ish policit, 41-vjeçar, mund të jetë kryer nga vrasës me pagesë. Kjo i përjashton ish-kunetërit e tij nga prezenca e tyre në skenën e krimit, duke marrë si të mirëqenë edhe pretendimin e tyre se nuk ndodheshin në Tiranë atë natë, por nuk i përjashton plotësisht nga implikimi i mundshëm në ngjarje. Për këtë arsye, ata pritet që të thirren sërish për t’u pyetur nga oficerët e grupit hetimor.

Nga deklarimet e mëparshme që kanë dhënë, ata kanë pranuar se deri në vitin 2013 kanë pasur konflikte të vazhdueshme me ish-bashkëshortin e motrës së tyre, por pas ndarjes nuk takoheshin dhe nuk kishin më komunikim me njëri-tjetrin. Me përjashtim të ndonjë rasti që mund të shkëmbeheshin rastësisht në rrugë, kur ai takonte vajzat. (Panorama)
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb