TIRANË- Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, mbledhjen plenare, e cila nisi me diskutimin dhe shqyrtimin e informacionit të përgatitur nga Inspektorati i KLD mbi problematikat që lidhen gjatë zbatimit të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli, shprehu gatishmërinë për të dhënë kontributin e tij brenda kornizës ligjore në fuqi në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Posaçëm i Apelimit, me qëllim përshpejtimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve.

Në kuadër të nismës së Presidentit të Republikës, për të raportuar mbi ndjekjen e detyrave të vendosura nga KLD, për procedurat që duhet të ndiqen nga Gjykatat, në çështjet e lëshimit të urdhrave të mbrojtjes, për viktimat e dhunës në familje, anëtarët e Këshillit pasi shqyrtuan informacionin e ardhur nga Inspektorati, vendosën që në mbledhjen më të afërt të analizojnë informacionin që i është kërkuar Gjykatave nën juridiksionin e KLD-së në lidhje me çështjet që lidhen me fenomenin shqetësues të dhunës në familje.

Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, anëtarët e KLD-së shqyrtuan raportin e Ministrisë së Drejtësisë mbi kryerjen e hetimit administrativ për verifikimin e procedurave të lëshimit të urdhrit të mbrojtjes nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier për shtetasen L.R. (Liljana Ruko, e vrarë nga burri, duke e hedhur nga dritarja e banjës). Duke mbajtur në konsideratë ndjeshmërinë që ka në opinionin publik fenomeni i dhunës në familje, Këshilli vendosi të kryej një inspektim tematik për gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Fier, E.S.

Më tej mbledhja vijoi me miratimin e programit të punës për përfundimin e vlerësimeve profesionale për periudhën 2010-2012. Gjithashtu, me konsensusin e anëtarëve të Këshillit u caktua z. Gerd Hoxha, si përfaqësues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Komisionin Shtetëror për Ndihmën Juridike.

Prononcimi i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, pas mbledhjes së KLD-së
Mbledhja përfundoi me një kohë të shpejtë, që do të thotë se vullneti për bashkëpunim, për të plotësuar të gjitha detyrimet që ka ky institucion deri në krijimin e institucioneve të reja kushtetuese është maksimal dhe në kuadër të përshpejtimit të zbatimit të reformës në drejtësi dhe sidomos të zbatimit të ligjit të Vetting-ut, por njëkohësisht edhe në drejtim të përballimit të sfidave që ka funksionimi aktual i sistemit gjyqësor, që natyrisht ka vështirësitë e veta drejt kalimit në një sistem plotësisht të ri.

Z. Meta, cilat ishin shqetësimet e KLD-së në lidhje me pikën e parë të rendit të ditës që ka lidhje me Vetting-un?
Unë besoj se këto do të bëhen publike, sepse diskutimet në KLD-së bëhen publike, por natyrisht që ky është një proces plot sfida dhe vullneti është maksimal për të bashkëpunuar me institucionet e reja të Vetting-ut, por edhe me EURALIUS dhe OPDAT-in që asistojnë në këtë proces.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb