Pas ngjarjes së rëndë në qytetin Kavajës, kur një i ri i preu me thikë fytin taksistit 65-vjeçar Idriz Karriqi për t’i marrë makinën, kanë reaguar prindërit e autorit Musa Saraçi. Të shokuar ata thonë se nëse djali i tyre e ka bërë këtë akt, duhet ta pushkatojnë.

“Mbrëmë natën erdhi policia ta marrë djalin. Shteti të marrë masa të rrepta nëse ai e ka kryer këtë krim,” thanë prindërit e 24-vjeçarit për News24. Ata gjithashtu shprehen se nuk ishin në dijeni të faktit se djali i tyre përdorte drogë.

Trupi i taksistit Karriqi u gjet sot i vdekur në pyll në fshatin Greth të Kavajës. Ishin familjarët e Idrizit ata që kishin njoftuar dy ditë më parë të shqetësuar policinë se pjesëtari i tyre i familjes nuk ishte kthyer në shtëpi si çdo mbrëmje.

Policia shoqëroi 24-vjeçarin Musa Saraçi si të dyshuarin kryesor për vrasjen, pasi dyshohej të kishte qenë klienti i fundit i taksistit. “Nuk e njihja dhe as kisha gjë me taksistin. E bëra vetëm se më duheshin lekët. Nuk doja ta vrisja por ndodhi” tha Musai në polici.

Saraçi pasi vrau dhe i mori sendet personale shiti makinën e Karriqit në një varrezë makinash për 300 mijë lekë të vjetëra.  I riu rezultoi të ishte përdorues droge nga burime të policisë.

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb