DURRES – “Me gruan kishim konflikte të vazhdueshme. Debatuam, ajo tentoi të më godiste dhe i mora sëpatën. Nuk kisha qëllim ta vrisja gruan”. Këto janë fjalët që ka shqiptuar përpara trupit gjykues 73-vjeçari Veli Dervishi, i cili vrau pak ditë me parë me sëpatë bashkëshorten e tij, në banesën e tyre në Golem.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për të moshuarin, i cili vijon të fajësojë gruan për shkakun e vrasjes, duke u përpjekur të justifikohet para familjes dhe opinionit publik.

Gjatë marrjes në pyetje në polici, Dervishi ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa është shprehur se gjithçka ka ndodhur nga xhelozia dhe se ishte i bindur që e shoqja e kishte tradhtuar.

“Gruaja e kishte mbushur kupën. Ajo më ka tradhtuar gjithë jetën, ndërsa më bënte skena xhelozie. Nuk mund ta duroja dot më, pasi më ngrinte nervat dhe më acaronte sa herë më pyeste se ku isha e me kë isha. Kështu bënte gjithmonë, ndaj më erdhi në majë të hundës”, – është shprehur Veli Dervishi.

“Mbrëmjen e së dielës, unë kisha dalë e po bëja xhiro bregut të detit. Shëtita derisa u errësua. Kur u ktheva në shtëpi, gruaja më ngriti nervat. Filloi të më pyeste: Ku ishe? Me kë ishe? Kë takove? M’i ngriti nervat në kulm, ndaj i thashë ta qepte gojën se e kishte mbushur kupën, por ajo nuk po pushonte. I thashë të shkonte pak në depo se kisha lënë diçka atje. Kur shkoi atje, e vrava me sëpatë. E godita në kokë. Më pas shkova dhe bëra denoncim në polici. Ajo më tradhtonte, dhe për këtë nuk kisha dyshime. Më ka tradhtuar që kur ishim të rinj e deri tani”- deklaroi 73-vjeçari.

Ngjarja e rëndë ndodhi tre ditë më parë, në Golem. Sipas prokurorisë, shtetasi Veli Dervishi ka qenë duke debatuar për motive të dobëta me shtetasen Shazivare Merja (Dervishi) nga e cila edhe pse ishte divorcuar, bashkëjetonte me të në të njëjtën banese.  Dy shtetasit po debatonin në aneksin e jashtëm të shtëpisë dhe në këtë kohe aty nuk kishte njerëz të tjerë.

“Gjatë debatit shtetasi Veli Dervishi ka goditur bashkëjetuesen e tij shtetasen Shazivare Merja (Dervishi) tre herë me një sëpatë nga pas kokës, duke i shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme. Më pas autori ka lënë sëpatën me të cilën kishte kryer krimin tek një kovë uji nga pas shtëpisë dhe ka dalë tek veranda.

Në këtë kohë njëri nga komshinjtë,  ka dëgjuar zhurmat dhe ka lajmëruar në Stacionin e Policisë Golem. Patrulla e Policisë ka ardhur tek banesa e shtetasit  Veli Dervishi dhe ka marrë kontakt me këtë shtetas, të cilin e ka pyetur nëse në këtë zonë ka patur ndonjë konflikt. Shtetasi Veli Dervishi ka komunikuar në telefon me djalin e tij, Arturin dhe i ka thënë që të shkonte urgjent në Golem. Arturi i cili në atë kohë ka qenë duke konsumuar një kafe me shokët e tij është nisur  menjëherë në drejtim të Golemit. Sapo ka ardhur  Veliu (Dervishi) i ka treguar djalit të tij për çfarë kishte bërë dhe i kishte kërkuar që ta çonte tek Stacioni i Policisë që të dorëzohej.  Arturi nuk ka hyrë fare tek aneksi ku ndodhej viktima, por  menjëherë ka çuar babain e tij në Stacionin e Policisë në Golem”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: