SARANDË– Pak orë pas vrasjes së 32-vjeçarit në Sarandë, blutë e Komisariatit të këtij rrethi duket se kanë rënë në gjurmët e autorëve. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, autorët dyshohet të jenë shtetas nga Kosova dhe se krimi ka ndodhur pas një konflikti për motive banale. Nga informacionet e mbledhura nga dëshmitarët, mësohet se viktima Edmond Mehmeti ishte grindur me kosovarët një natë para vrasjes.

Ndërkohë nga këqyrja e vendit të ngjarjes, konfirmohet se 32-vjeçari është qëlluar nga jashtë automjetit me një plumb të vetëm në zemër. Në Komisariatin e Policisë Sarandë deri më tani janë shoqëruar rreth 20 persona, ndërsa në lidhje më këtë ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistët më të mirë të Drejtorisë së Policisë Vlorë Kundër Krimeve te Rënda në bashkëpunim me Prokurorë të Sarandës.

NGJARJA

32-vjeçari Edmond Mehmeti është ekzekutuar në orët e vona të së premtes në rrugën Turizëm- Kanali i Çukës në qytetin e Sarandës

32-vjeçari i cili punonte si marangoz në qytetin e Sarandës, është qëlluar për vdekje me armë zjarri jashtë automjetit të tij tip ‘Peugeot’ ngjyrë blu. Vrasja fillimisht u dyshua për larje hesapesh, pas një konflikti banal të nisur një ditë më parë në një lokal. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se viktima është qëlluar me një plumb në zemër, dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Policia e Sarandës po punon për identifikimin e autorëve të ngjarjes, ndërsa ka ngritur postblloqe në aksin rrugor Sarandë- Ksamil.

(m.k/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: