SARANDË – Prokuroria e Sarandës vijon hetimet intensive për vrasjen misterioze të 47-vjeçarit Aleksandër Bardhi. Ngjarje kjo e ndodhur pak ditë më parë në fshatin Shëndëlli. Ndërkohë që paraditen e sotme, pritet të jepet masa e sigurisë për 15-vjeçarin Gj.A. dhe 29-vjeçarin Fernando allias Florin Deda, të cilët dyshohen të jenë autorë të ekzekutimit të babait të dy fëmijëve. Paraprakisht mësohet se prokurori i çështjes ka përpiluar akuzën dhe do të kërkojë masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj dy personave të arrestuar për veprat penale: “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Nga hetimet e deritanishme, akuza mbetet në kuadrin e dyshimeve të forta, pasi pritet rezultati i ekspertizës së armës tip “Kallashnikov”, që u gjet e groposur pranë banesës së 15-vjeçarit. Nga ana tjetër, ky i fundit si dhe 29-vjeçari Deda vazhdojnë të mbajnë qëndrim të fortë mohues ndaj akuzës. Burime pranë organit të akuzës dje bënë me dije se nisur nga gjurmët e gjakut të gjetura në vendngjarje, rezulton se viktima Aleksandër Bardhi pasi është qëlluar me armë, ka shkuar me këmbë në banesën e vet për t’u mjekuar dhe aty dyshohet të ketë humbur ndjenjat dhe të ketë ndërruar jetë.

Më pas ka qenë djali i xhaxhait, ai që e ka transportuar 47-vjeçarin drejt urgjencës së spitalit “Stefan Mekshi” të Sarandës, ku ka mbërritur i vdekur. Prokuroria cilëson si dëshmitare kyçe, gruan e viktimës, e cila pritet të japë shpjegime për atë çka ka mësuar nga bashkëshorti i saj kur ai ka shkuar për t’u mjekuar në banesë. Megjithatë, deri tani grupi hetimor nuk ka mundur ta marrë në pyetje atë për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb