Hetimet për vrasjen e 60-vjeçarit Hajredin Lleshi në fshatin Rukaj të Matit janë përqendruar vetëm në pistën e hakmarrjes.

Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se nga të dhënat e deritanishme nuk rezulton që familja e viktimës të ketë probleme të tjera dhe se dyshimet bëjnë fjalë për një vrasje me pagesë. Të njëjtat burime bënë të ditur dyshimet se autorët e paguar janë nisur për të vrarë djalin e madh të familjes, 28- vjeçarin E. Lleshi, por ka qenë babai i tij, Hajredini, ai që ka hapur derën e shtëpisë i pari dhe atentatorët kanë hapur zjarr me breshëri, duke e lënë atë të vdekur në vend.

“Kemi dyshime të forta se vrasja në fshatin Rukaj është hakmarrje e pastër e të afërmeve të Agim Hoxhës, emigrantit që u vra në Angli nga nipi i viktimës së 3 netëve më parë, Hajredin Lleshi.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se vrasja është realizuar nga persona të paguar dhe se shënjestra e atentatit mund të ketë qenë djali i madh i familjes Lleshi, E. Lleshi, 28 vjeç, por ka qenë babai i tij ai që ka hapur derën e shtëpisë për t’iu përgjigjur personit që e thirri nga jashtë”, bënë të ditur burime nga grupi i hetimit. Të njëjtat burime thanë se kanë mbledhur informacione, të cilët janë drejt zbardhjes së ngjarjes dhe kapjes së autorëve.

“Ne kemi grumbulluar informacione tërëndësishme që do të çojnë në zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve. Kemi dyshime se banorë të fshatit kanë bashkëpunuar me vrasësit. Autorët, pasi kanë djegur makinën e tyre në dalje të fshatit Rukaj, kanë siguruar një makinë tjetër me të cilën janë larguar me shpejtë- si”, thanë drejtues të Policisë Dibër. Po sipas Policisë, familja Lleshi bënte shumë kujdes dhe burrat e saj nuk lëviznin natën. Dyshimet e policisë se shënjestra ka qenë djali i Hajredin Lleshit lidhen me dëshmitë e marra në fshat, ku sipas banorëve kanë pasur të dhëna dhe sinjale nga të afërmit e emigrantit të vrarë se familjen Lleshi do ta shuajnë të gjithën.

Disa vite më parë viktimës në fshatin Rukaj i vranë një tjetër vëlla. Dyshohet se vrasja e dy vëllezërve Lleshi e ka zanafillën pikërisht nga ngjarja e ndodhur në Angli. Burime pranë policisë sqarojnë se më 10 prill të vitit 2012, Arben Lleshi, në atë kohë 25 vjeç, djali i vëllait të viktimës, Hajredin Lleshi, vrau Agim Hoxhën, 29 vjeç. Lleshi u kap nga policia italiane një muaj pas vrasjes dhe u dënua nga drejtësia në Angli me burgim të përjetshëm pas ekstradimit.

Dënimi për Arben Lleshin është dhënë qershorin e vitit 2013. Viktima Agim Hoxha u gjet nga policia në makinën e tij, në ndenjësen e pasme, i vrarë. Policia angleze sqaroi se bëhej fjalë për grabitje, ku Hoxha kishte mbetur i vrarë dhe më pas makinës tip “Benz Mercedes” i është vënë flaka për të humbur gjurmët e krimit. Ngjarja është zbuluar nga kamerat e vendosura në rrugën ku ndodhi krimi i rëndë. Më 12 tetor 2013 dyshohet se të afërm të Agim Hoxhës kanë vrarë në vendin e quajtur “Pujkë” Xhavit Lleshin, vëllain tjetër të viktimës së dy netëve më parë. /panorama/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: