TIRANE-30 ditë burg ka kërkuar prokuroria për Flamur Ymerin pronarin e vilës 2-katëshe në Selitë, brenda së cilës u ekzekutuan dy të rinj.

Ai akuzohet nga prokuroria për “vrasje në kapërcim të kushteve të vetëmbrojtjes së nevojshme”.

Seanca në ngarkim të tij është mbajtur mesditën e së shtunës, ndërkohë që pritet vendimi i gjykatës.

Flamur Ymeri, 45 vjeç, banues në Selitë, akuzohet edhe për veprën e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Për këto dy akuza, prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj të dyshuarit në lidhje me vrasjen e shtetasve Adnan Luli dhe Ervin Shaba.

Në kërkesën drejtuar gjykatës për caktimin e masës së sigurisë, i vetmi version që jep organi i akuzës, është ai që mbështetet në dëshminë e dhënë nga pronari i vilës, Flamur Ymeri dhe gruaja e tij, pas shoqërimit në polici ditën e ngjarjes. Organi i Prokurorisë ende nuk ka bërë një përshkrim të mekanizmit të ngjarjes dhe në kërkesën drejtuar gjykatës për masën ndaj Flamur Ymerit, nuk jepet ndonjë shpjegim në lidhje me motivin e ngjarjes.

Një pjesë e dëshmive të dhëna nga dy bashkëshortët, e cila jep një shpjegim për ngjarjen, është bërë me dije dje nga grupi i hetimit. Referuar deklarimeve të dhëna nga 45-vjeçari Ymeri, ai fillimisht i ka marrë armën dhe ka rrëzuar njërin nga të rinjtë e maskuar dhe në këtë kohë ka qëlluar ndaj të riut tjetër që kishte në dorë një armë “Skorpions”. Më pas është kthyer dhe ka vrarë personin që kishte rrëzuar përtokë duke i qëlluar edhe disa herë pasi të rinjtë ishin rrëzuar.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: