DURRËS-Në arsyet se përse qytetarët duhet të zgjedhin për anëtarësim Partinë Socialiste, kryeministri Edi Rama u përqëndrua dhe tek reformat që ka bërë në Policinë e Shtetit. Po kështu dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i pranishëm në anëtarësimet e reja në PS-së e qytetit të Durrësit.

Sipas Ramës e Tahiri, në cdo vend të botës ndodhin krime. Madje kryeministri Edi Rama u shpreh se krime të shëmtuara ndodhin dhe në vende të zhvilluara dhe europiane, ku shteti nuk mund t’i ndalë dot. Shembull për këtë solli qytetin e Këlnit në Gjermani ku refugjatët e luftës përdhunuan disa femra brenda një nate. Kurse Tahiri theksoi nga ana e tij se në Shqipëri do të ndodhin krime sa kohë që gjykatat nxjerrin autorët nga burgu.

“Shqiptarët nuk duan kurrën e kurrës të kthehen tek qeveria e vjetër. Një arsye? Mjafton të shohësh Policinë e Shtetit. Nuk ka nevojë të bëjmë shkencë të madhe, mjafton të shohësh Policinë e Shtetit në rrugë, kur ndalon makinën, në regjistrin e policisë së shtetit ku kanë paguar gjoba, ministra drejtorë e cilido njësoj ku jepet besimi se po bëhet Policia e Shtetit dhe jo e pushtetit e interesave të të fortëve.

E ku nuk ndodhin krime? Në sheshin më të madh të një qyteti më të madh të Europë, në Gjermani, 60 vajza u dhunuan brenda një natë, natën e Vitit të Ri. Është shumë e lehtë dua të them por dhe më turpshme dhe më mendjelehtë që pas cdo krimi që ndodh të çohesh dhe të baltosësh Policinë e Shtetit. Sepse njerëzit nuk janë, aq mëndjelehtë sa për fat të keq politika i ka kujtuar këto vite dhe njerëzit dinë shumë mirë ta bëjnë dallimin dhe ndaj sot Policia e Shtetit është shëmbëlltyra e besimit të shumicës dërrmuese të shqiptarëve se ka ende shumë për t’u bërë dhe përmirësuar, por nuk ka të krahasuar me dy vjet e gjysëm më parë.
Kjo që po bën policia është është mesazhi që eja në PS, se po sjellim shtet”, tha Rama.

Po kështu edhe ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri që po kështu u ndal tek pyetjet që bëjnë qytetarët, “pse ka vrasje?”

“Sot policia është në shërbim të qytetarit, dhe ne e rilindëm. Në ia dolëm të luftonim korrupsionin, atë policin që e rripte qytetarin nga xhepat. Falë kamerave të sigurisë në uniforma, tani ky fenomen do jetë drejt zhdukjes.
Disa pyesin si ka mundësi që ka ende vjedhje dhe vrasje? Ka dhe do ketë sic ka në cdo vend të botës. Por unë pyes, si ata që vjedhin dhe vrasin janë ende jashtë dhe nuk bëjnë burg, sepse gjykatat i lirojnë?
Unë pyes, si ka mundësi që shqiptarët vriten ende për gardhin e pronës dhe në vend të botës nuk vritet askush kështu. Sepse drejtësia nuk bën drejtësi. Vrasjet brenda familjes ndodhin sepse polciia e djeshme shkatërroi cdo mekanizëm shtetëror që mbronte qytetar. E përsëri falë angazhimit tonë, qeverisë tonë, viti i kaluar ishte viti i parë në historinë e shqipërisë, me numrin më të vogël të krimit dhe paligjshmërisë”.

BASHA: THIRRJA NË NDIHMË E NGJARJEVE NË GJERMANI, PERVERSITET I SKAJSHËM
Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, ka reaguar kreu i PD-së, Lulzim Basha. Për kreun e PD-së, ‘thirrja në ndihmë e ngjarjeve në Gjermani për të justifikuar krimet e tmerrshme në Shqipëri, është perversitet i skajshëm’.

“Krimi në vendin tonë është unik, i pakrahasueshëm, sepse kryeministri e ministri i brendshëm janë kërthizëlidhur me bandat, me Shullazët me Habilajt me Hakmarrjen për Drejtësi”, deklaron Basha.

Ai thekson se Partia Demokratike për asnjë rast nuk fajëson policinë, burrat dhe gratë me integritet që gjenden në detyrë, dhe as nuk pretendojmë në një shoqëri idilike pa konflikte e tension. “Ajo çfarë duam është të ndalet burimi kryesor i ekzekutimeve, gjobëvënies, grabitjeve dhe i pasigurisë, që është lidhja e krimit me qeverinë. Nuk ka fatkeqësi me të madhe për një vend se kur kryeministri dhe ministri i brendshëm bashkëqeverisin me banda kriminale”, thekson kreu i PD-së.

(d.b/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb