DURRES- “Arrest me burg” është masa që caktoi gjykata e Durrësit për 17-vjeçarin Devid Lala, i cili qëlloi disa herë me thikë 15-vjeçarin Angjelo Gjokazaj, dhe i shkaktoi vdekjen. 17-vjeçari është paraqitur në gjendje tepër të renduar psikologjike përpara trupit gjykues që do vendoste për të masën e sigurisë.

Në seancën me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave, 17 vjeçari ka pranuar se e goditi disa herë me thikë bashkëmoshatarin pasi ky i fundit e pa me inat dhe e goditi me celular. Duke u shprehur i penduar për krimin e rëndë, Lala tha se mund ta kishte evituar sulmin fatal ndaj bashkëmoshatarit të tij.

“Më sulmoi vetë i pari, më goditi në kokë me celular. Angjelo ishte me një djalë tjetër dhe unë nxora thikën nga frika. E qëllova për t’u mbrojtur, megjithatë ndjej shumë pendesë për veprimin tim, mund edhe ta kisha shmangur”.

Ngjarja e rëndë për të cilën Lala mori masën e sigurisë ndodhi pasditen e së premtes në lagjen Nr.15 në Spitallë. Gjithçka nisi si një konflikt verbal mes adoleshentëve, vijoi me dhunë fizike dhe më pas edhe me goditjet fatale me thike të Devid Lalës që i morën jetën 15-vjeçarit.

Familjarët e 17-vjeçarit i kanë kërkuar falje familjes Lala për krimin e rëndë të të birit, por ndjesa dhe ngushëllimet e tyre nuk janë pranuar. Për shkak të frikës për përshkallëzimin e konfliktit mes dy familjeve dhe një hasmërie, policia mbikëqyr banesat që ndodhen pranë njëra-tjetrës në Spitallë të Durrësit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb