BEOGRAD- Shefat e diplomacisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, John Kerry dhe Federica Mogherini, kanë bërë thirrje për një luftë të përbashkët kundër terrorizmit dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin në Siri. Thirrjet e tyre, Kerry dhe Mogherini i kanë bërë gjatë konferencës së 22-të të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE), e cila është mbajtur në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd. Shefja e diplomacisë së BE-së, Mogherini, ka theksuar se për terrorizmin është e mundur vetëm zgjidhja ndërkombëtare, duke shtuar se kërcënimi nga Shteti Islamik mund të largohet vetëm me vendosjen e paqes në Siri. Por sipas saj, për këtë është thelbësor dialogu në Vjenë. Gjithashtu, ajo ka theksuar se edhe takimi në Beograd është një rast që të shënohet përparim lidhur me këtë çështje. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka paralajmëruar se për një luftë të suksesshme kundër Shtetit Islamik janë të nevojshme trupat siriane, ose arabe në terren, sepse militantët nuk mund të munden vetëm me sulme ajrore.

Ai ka përshëndetur edhe aleatët europianë për hapat drejt unitetit dhe koalicionit kundër terrorizmit në Siri. “Pjesë e strategjisë, që po përpiqemi ta zbatojmë në procesin e Vjenës është realizimi i një tranzicioni politik. Nëse e bëjmë këtë, u japim rastin palëve që të ofrohen. Me këtë, kryesisht mendoj për ushtrinë siriane dhe opozitën”, ka thënë Kerry në prag të bisedimeve dypalëshe me shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov. Ky i fundit ka bërë thirrje për bashkim në luftë kundër terrorizmit. “Ky sot është prioriteti kryesor dhe gjithçka tjetër duhet të jetë në varësi të kësaj. Kjo është si lufta e dikurshme kundër nazistëve. Nuk do të lejojmë që terroristët të përfitojnë nga tregtia jolegale me gjëra të ndryshme, por nuk do të jemi të suksesshëm në qoftë se të tjerët na vënë shkopinj nën këmbë, ashtu siç ka ndodhur në sulmin ajror në Siri”, ka theksuar Lavrov. John Kerry dhe shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Mogherini, i kanë bërë thirrje Rusisë që të bashkëpunojë me Ukrainën dhe të sigurojë zbatimin e marrëveshjes të Minskut. Mogherini ka thënë se në Krime po shkelen të drejtat e njeriut. Në anën tjetër, në hapje të samitit në Beograd, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka ftuar Këshillin ministror të OSBE-së që të sjellë përfundimet dhe rekomandimet e përbashkëta për zgjidhjen e çështjes së emigrantëve dhe ka porositur se Ballkani ende mbetet një fuçi baruti, të cilës i nevojitet një shkëndijë që të shpërthejë sërish.

(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: