Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili u zbulua se udhëtoi drejt SHBA-së tinëz bashkë me vajzën e tij, për takime me zyrtarë amerikanë në lidhje me Kosovën i është përgjigjur ish-shefit të diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, i cili ia zbuloi këtë udhëtim.

Vuçiç e ka goditur Jeremiçin për rastin e Kosovës në Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila kishte vendosur në favor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kjo edhe për shkak të formulimit jo të duhur nga ana e Serbisë. Jeremiç ishte identifikuar me këtë dështim të Serbisë në vitin 2010.

“Ne e kemi mbytur veten me vendimet tona. Do t’ia kisha shkulur vetes tani flokët për shkak të Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë. Po qeshin me ne shqiptarët për këtë, po qeshin ndërkombëtarët. Mbrëmë në një darkë të rëndësishme me përfaqësues të një shteti perëndimor, 5 herë këtë ma kanë përmendur. E unë si kokëtrashë e nxora Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 dhe u thashë: eja ta zgjidhim këtë kontest ndërmjet nesh dhe jush, duam ta zgjidhim kontestin me shqiptarët”, ka thënë Vuçiç pa e përmendur Jeremiç.

Vuçiç duke folur me tej për këtë vizitë në televizionin publik serb ka thënë se nuk është i kënaqur me rezultatet e vizitës në SHBA pasi, sipas tij, askush atje nuk ka dashur të diskutojë se kujt i përket territori i Kosovës.

Ai, po ashtu, duke përmendur takimet me Thaçin, i cili, po ashtu, ndodhet në SHBA, ka thënë se me Thaçin asnjëherë nuk është takuar pa prani ndërkombëtare, por nuk ka mohuar që kjo të ketë ndodhur në Amerikë. /Express/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: