SHBA- Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka shfrytëzuar tribunën e Kombeve të Bashkuar për t’u shprehur kundër Kosovës.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka përsëritur se Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe ka ftuar vendet anëtare të OKB së që të mos lejojnë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, raporton Koha.net.

“Siç e dini të gjithë, ne nuk e njohim shpalljen e njëanshme të Pavarësisë së të ashtuquajturës Kosovë,- tha Presidenti serb,- por unë këtu dua të flas mbi përpjekjet tona për zgjidhjen e një problemi shekullor. Gjithçka e arritur deri tani, përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, ka qenë rezultat i kompromiseve të vështira, me lëshime të bëra nga të dyja palët, por më shumë nga ana jonë”.

Sipas Vuçiç, progresi i qenësishëm i regjistruar përgjatë të gjithë këtij procesi konfirmon konstruktivitetin dhe gatishmërinë e Beogradit për dialog.

Por, megjithëse ai vet është nismëtari i nisjes së një dialogu të brendshëm në vend, që mund të shërbejë si parapërgatitje për heqjen e preambulës së Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë, nga foltorja e OKB-së Vucic bëri thirrje që Kosova të mos pranohet në UNESCO, duke dalë jashtë fajlimit zyrtar të planifikuar, por marrë shkas nga një njoftim i minutave të fundit.

“Përpara se të hyja në këtë sallë mora një informacion, sipas të cilit autoritetet e Prishtinës njoftuan se kanë siguruar shumicën e nevojshme për statusin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Ju bëj thirrje të gjithëve, që të mos e lejoni një gjë të tillë, duke kujtuar se ata njerëz morën pjesë në shkatërrimin e manastireve dhe kishave serbe”, tha Vuçiç.

Mediet serbe raportojnë se Vuçiç u takua në Nju Jork me presidentin amerikan Donald Trump, të cilin e ftoi të vizitonte Serbinë, e përgjigjja duket se ka qenë pozitive.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb