Serbia është e gatshme për një zgjidhje kompromisi me Kosovën, por për kompromis nevojiten dy palë, ka thënë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit me senatorin amerikan Ron Johnson.

Siç raporton FoNet, senatori amerikan u ka bërë thirrje të gjithë popujve në rajon që të shohin kah e ardhmja dhe të përpiqen të falin gjërat e vështira të së kaluarës, të cilat nuk mund të harrohen.

Vuçic, në një konferencë për shtyp, ka thënë se SHBA dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme mbi marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës dhe senatorit amerikan i ka thënë se “Serbia është e gatshme për një zgjidhje kompromisi, por për këtë nevojiten dy palë”, përcjell Telegrafi.

“Nuk ka kompromis nëse njëra palë është absolutisht e kënaqur, kurse tjetra nuk është. Ne jemi të hapur për bisedime, nuk ngutemi të dalim në opinion për atë që është e mundur dhe çfarë nuk është, ajo që është e lejuar dhe çfarë nuk është”, tha Vuçiq, duke potencuar se për popullin më e rëndësishmja është që të arrihet deri te një vendim, por që Serbia të mos poshtërohet.

Vuçiq tregoi se Johnson do të vizitojë Prishtinën dhe tha se e ka lutur atë që Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin një ndikim të fortë në pavarësinë e Kosovës, ta ndihmojnë Serbinë në stabilizimin e rajonit dhe të ndikojnë te shqiptarët për të arritur një kompromis të vërtetë.

“Johnson më siguroi se SHBA-ja dëshirojnë stabilitet të plotë, paqe absolute në rajon dhe se kjo është prioriteti i tyre, që për ne është një lajm i mirë dhe i rëndësishëm”, tha Vuçiç.

“Kam dashur t’ia bëjë me dije angazhimin tonë, qasjen e kujdesshme dhe fleksibile, dhe se respektojmë interesat kombëtare serbe, duke mos u përpjekur për të shkel dinjitetin e popullit shqiptar apo t’i lëndojmë në çfarëdo mënyre”, tha Vuçic.

Vuçiq theksoi se një marrëveshje në mes Beogradit dhe Prishtinës do të kishte një efekt pozitiv, sepse marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve do të zgjidheshin për të paktën 100 vjet dhe do të kishim paqe të plotë dhe stabiliteti ekonomik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: