Kandidati presidencial i koalicionit qeverisës, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se dëshiron që gjatë fushatës zgjedhore ta vizitojë Kosovën.

Ai madje ka deklaruar se këtë mund ta bëjë edhe pa lejen e Qeverisë së Kosovës, por mendon se “nuk do të kishte kuptim” dhe nuk dëshiron që të “nxisë probleme për serbët” e Kosovës.

Këto deklarata, siç raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”, Vuçiç i bëri gjatë përurimit të stadiumit në Novi Pazar, duke theksuar se “në Kosovë mund të hyjë përmes vendkalimeve alternative”.

Duke folur për dialogun me Kosovën, Vuçiç tha se Beogradi dëshiron që ky proces të vazhdojë, por shton se “pala tjetër vetëm kërkon arsye dhe justifikim që kjo të mos ndodhë”.

Kryeministri aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i është kthyer sërish çështjes së Ushtrisë së Kosovës, duke thënë se nuk e kupton pse “presidenti i Kosovës insiston dhe ngutet kaq shumë për formimin e të ashtuquajturës ushtri”.

I pyetur nëse pret ndihmë nga BE rreth tentativës së Kosovës që t’i regjistrojë në pronësi të Kosovës pronat e paluajtshme të ish-Jugosllavisë, Serbisë dhe të Krahinës Autonome të Kosovës, Vuçiç tha se kjo nuk është çështje ndihme, por “është koha që edhe BE-ja të sqarojë nëse ka diçka të vërtetë apo jo, rrjedhimisht nëse dikush e ka shkelur marrëveshjen apo jo”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb