Mediat serbe kanë vijuar të transmetojnë fjalimin e djeshëm të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që ka të bëjë me zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
“Nëse Prishtina nuk dëshiron të bëjë kompromis, nuk do të ketë zgjidhje për Kosovën, dhe pikë”, tha dje presidenti serb Aleksandar Vuçiç, raporton gazeta “Novosti”.

“Ne do të vazhdojmë bisedimet me shqiptarët, në përpjekje për të zgjidhur problemet tona, pa marrë parasysh se asgjë nuk iu besoj. Por ne nuk kemi zgjedhje tjetër”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se në vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën, më 23 mars shkon në Bruksel pa asnjë shpresë, dhe se puna e tij është të mbrojë interesat e Serbisë.

Thotë se është i gatshëm të dëgjojë këdo që ia tregon një zgjedhje tjetër, me kusht që të dijë të gjitha rrethanat që lidhen me këtë çështje, përcjell Telegrafi.

Vuçiç përsëriti se në prill do të dalë me propozimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, dhe thotë se si gjithmonë qëndron prapa asaj që ka thënë, por që gjithmonë do të mbajë për vete mundësinë për të përshpejtuar ose ngadalësuar diçka, për shkak të specifikave të situatës politike të jashtme.

”Është e imja t’i them njerëzve se çfarë mendoj për gjithçka që po ndodh. Askënd nuk e gënjej, edhe fuqive më të mëdha ju them çfarë mendoj, prandaj më respektojnë personalisht si kryetar i Serbisë në gjithë botën, sepse e dinë që gjithmonë përfaqësoj interesat e Serbisë”, tha Vuçiç, duke theksuar se “qoftë vetëm ose me të gjithë juve, unë do të vazhdoj me çdo kusht, kurse popullit i mbetet ta pranojë, ose jo”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve nëse do të ketë një referendum për çështjen e Kosovës, Vuçiç tha se çdo ndryshim në Kushtetutë e kërkon këtë dhe se populli do të vendos për gjithçka.

“Nuk do të jem i pakënaqur nëse do të detyrohem të shkojë dhe të lëshojë rrugë, sepse detyrë e imja është të bëjë atë që mendoj se është më e mira për Serbinë, e jo të mendoj se si t’i shmangem popullit”, tha presidenti serb.

Lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviç, Vuçiç tha se tani nuk mund të flas për detajet e hetimeve për vrasjen e Ivanoviç, duke potencuar se brenda 15 ditësh shërbimet kompetente serbe do të publikojnë atë çfarë kanë mësuar, e çka jo, lidhur me këtë rast.
“Nuk mendoj se disa do të befasohen shumë. Do të befasohen ata që e kanë njohur më parë vrasësin”, tha Vuçiç.

Vuçiç ka folur edhe për marrëveshjet e Brukselit duke thënë se gjashtë nga 15 pikat e marrëveshjes së Brukselit për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe nuk janë realizuar. Presidenti i Serbisë u kërkoi serbëve të Kosovës të mos marrin pjesë në formimin e Ushtrisë së Kosovës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: