Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë sot se shteti i tij është i gatshëm për të bërë kompromise me Kosovën. Për Serbinë kjo është një nga çështjet kyçe për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

BE-ja insiston në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës, në mënyrë që vendet të jenë më afër anëtarësimit në bllok.

“Për ne, pengesa më e vështirë në rrugën tonë drejt Evropës është situata për Kosovën, andaj për këtë gjë, Serbia është e gatshme për të biseduar lidhur me kompromiset e mundshme”, ka thënë Vuçiç para gazetarëve.

Ai i ka bërë këto deklarata, pas takimit me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Wess Mitchell. “Ne mund të pranojmë vetëm kompromise, mirëpo jo poshtrim të popullit tonë”, ka thënë Vuçiç.

Sidoqoftë, Vuçiç dhe Mitchell kanë pasur deklarata të ndryshme lidhur me themelimin e forcave të armatosura në Kosovë.
Mitchell ka insistuar se Kosova, “ka të drejtë legjiime” për të formuar një ushtri profesionale dhe se e njëjta nuk përbën kërcënim për Serbinë.

“Serbia është kundër”, ka thënë Vuçiç, duke thënë se nuk ekziston ndonjë dokument ligjor që mund t’i japë Prishtinës të drejtën për të marrë një hap të tillë. /rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb