SHBA- Me kërkesën dhe mbështetjen e Vehbi Bajramit, botuesit të gazetës “Illyria” në New York dhe ndërhyrjes së kongresistit Engel, shkrimtari i shquar shqiptar do të nderohet në Washington

Ka mbetur tashmë të caktohet vetëm data, kur mbi Capitol Hill, ndërtesën e famshme të Kongresit amerikan në Washington, të valëvitet një flamur për nder të shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare.

Gjesti i bukur simbolik është siguruar nga kongresisti Eliot Engel me nismën dhe propozimin e Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New York.

Engel është prej një çerekshekulli tashmë një nga mbështetësit më të vendosur të shqiptarëve në Kongres dhe bashkëpunimi i tij me zotin Bajrami është i gjatë.

Me propozimin dhe mbështetjen e botuesit Bajrami, kongresisti Engel bëri edhe një përshëndetje publike dhe zyrtare në Kongresin Amerikan për shkrimtarin Kadare si dhe për vlerësimin e tij të fundit me Çmimin prestigjioz të Jeruzalemit 2015 në Letërsi.

Ndonëse ngritja e flamurit është një praktikë e rregullt për kongresistë dhe senatorë për të vlerësuar dhe përmendur njerëzit e distrikteve të tyre përkatëse, kësaj here ceremonia do të jetë e veçantë për shkak se do të nderohet një personalitet i një vendi tjetër.

“Më vjen shumë mirë për këtë nderim që po i bën Kongresi shkrimtarit më të madh shqiptar të të gjitha kohërave”, tha Vehbi Bajrami. “Kadareja është sot letërnjoftimi i shqiptarëve në botë, më i madhi personalitet i gjallë i botës shqiptare, një fakt ky që shpesh shqiptarët vetë e harrojnë”.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb