TIRANE – Kreu i komisionit për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj thekson se kjo është një reformë në ndihmë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndershëm. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Xhafaj tha se reforma nuk është çështje emrash, por çështje sistemi. Sipas tij, mënyra si është ndërtuar sot sistemi nuk jep garanci për të korrigjuar defektet.

“Sot drejtësia është një mall që shitet dhe blihet dhe kjo është një konstatim më së pari e njerëzve në këtë vend. Tek ne korrupsioni është fenomeni që bën të funksionojë sistemi. Nuk do të thotë që nuk kemi gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm. Kjo është një reformë në ndihmë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndershëm. Ky është proces transparent dhe gjithëpërfshirës. Janë organizuar mbi 40 tryeza konsultimesh. Jo vetëm në Tiranë, por pothuajse në të gjitha qendrat kryesore të Republikës. Nuk është çështje emrash, është çështje sistemi. Sistemi duhet të ketë institucione të forta të qëndrueshme, të pavarura dhe një sistem vetëpastrimi dhe vetëkorrigjimi efektiv.”- deklaroi Xhafaj.

Lidhur me rolin e presidentit në procesin e reformës në drejtësi, Xhafaj tha se kreu i shtetit ka patur përfaqësuesit e tij në tryeza. “Nuk bëj përpjekje për t’i ndryshuar mendimin presidentit”-tha Xhafaj.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb