Nga Ylli DYLGJERI

Lista e Sekretarëve të Përgjithshëm e shpallur këto ditë në media kaloi çdo parashikim të ligjit të shërbimit publik shqiptar. Nëpunësi Civil Numër 1 u emëruar nga zyra Nr. 1 e ekzekutivit shqiptar! Kjo nuk kishte ndodhur asnjë herë në 18 vitet e këtij shërbimi, tashmë të ashtuquajtur civil. Lista ka format uniformë. Lista ka rresht ushtarak, ku nga mënyra e renditjes në rresht çdo Sekretar i Përgjithshëm sheh supin e të tretit.

Çfarë ishte kjo Listë?
Duke qenë një nga Sekretaret e Parë të Përgjithshëm të Shërbimit Civil Shqiptar (kam konkurruar më 3 janar të vitit 2000 në Ministrinë e Rendit) nuk mund të mos revoltohem, e të rri i heshtur pa hedhur këto radhë. Taksapaguesi shqiptar ka dhe duhet të ketë përfaqësuesit e vet në administratë. Ato drejtojnë, administrojnë dhe qeverisin taksën publike.

Kjo është administrata në demokraci. Jo lista. Një nga detyrimet e hershme të punonjësit që rekrutohej sipas ligjit shërbimit civil ishte qëndresa ndaj akteve të paligjshme dhe mospërkulja ndaj urdhrit okult. Kështu na mësoi Europa.

Duke kryer në vite të gjitha shkollat dhe kurset e trajnimit të administratës publike, që nga Londra, Parisi, në Haga, Trieste etj, nuk kam ndeshur apo studiuar emërime me listë të SP dhe nëpunësit civil. Kudo në Europën ku pretendojmë të shkojmë, Sekretarët kanë konkurruar dhe janë në detyrë prej dhjetëra vjetësh, pa u lëvizur nga politika që shkon e vjen. Po kështu është dhe shërbimi civil me senjorët në detyrë.

Së fundi, një e vërtetë tjetër duhet thënë: Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet nga Ministri dhe i përgjigjet vetëm Atij. Për këtë qëllim në Kolegjin e Shërbimit Civil të Londrës ishte prodhuar edhe filmi tashmë mjaft popullor me titullin: Yes Ministër.

Lista e botuar këto ditë në shtyp tregoi se në Shqipëri po luhet një film tjetër
Ky film do të dalë me titullin: Yes, Kryeministër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb