Nga RUDINA XHUNGA

Ministri Manjani me të drejtë doli sot duke pritur gratë që përfituan nga amnistia dhe lanë burgun, për t’i bërë thirrje shqiptarëve t’i japin një dorë dhe mos i paragjykojnë.

Vetëm se në mes të atij show mediatik qëllimmirë ishte një çast i neveritshëm. Momenti kur Uarda Çota u prit me duartrokitje.

Media e ktheu vajzën 26 vjeçare, liruar pas një aksidenti me pasojë vdekjen, për shkak të dyfishit të shpejtësisë dhe gjendjes së dehur, në lajm kryesor, si vajzën seksi që ia doli të dilte nga burgu. Familjarët e pritën me lule, ajo vetë falënderoi Ministrin Manjani dhe uroi të lirohen të gjithë, si ajo.

Përse gjithë kjo skenë? Për kë bëhet? Për të lënduar një nënë që i vdiq djali në duar, nga papërgjegjshmëria e Uardës? Për të mos prekur jetët e bukura të Uardave, që të marrin në qafë, kur je në rrugën tënde, apo të firmave hajdute të rrugëve që vënë shenjat kujdes, pas çdo vdekjeje në aksident, si të jenë lapidarë vdekjesh fatkeqe?!

Për kë ishin ato duartrokitje? Për veshët tanë që po mësohen nga lajmet aksidente dhe i botojmë si lajme të botës së tretë, derisa vdes një nga ne, vetë ne?

Mbase nuk është faji i Uardës që nuk vuri një kapele në kokë, syze dhe të priste të iknin të gjithë dhe të dilte pa bujë e zhurmë.

Ose nëse do ta njihnin, edhe me syze e kapele, të largonte kamerat e të thoshte: Nuk flas, për hir të atij fëmije.

Mbase nuk është faji i familjarëve të saj që e duartrokitën dhe përqafuan se mezi e prisnin jashtë. Edhe pse mund t’ia kishin kursyer atë skenë familjes së viktimës 11 vjeçar.

Mbase nuk ka faj as Ylli Manjani, që na risolli skenën nga filmi “Dora e Ngrohtë”. Mbase ai vajti për lajm të parë e përfundoi si sfond i një shteti që të do për sfond.

Mbase faji është jetim. Por mua më vjen turp që e pashë atë çast, kur media  përcolli zhurmën e faljes për vdekjen e një 11 vjeçari pa faj. Atij ia mori jetën, kjo bota jonë, që nuk ka respekt as për vdekjen./dritare.net
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: