TIRANE- Parlamenti ka votuar me 104 vota pro shkarkimin e Nasip Naços, nga posti i Ministrit të Drejtësisë si dhe me 81 vota pro është miratuar Ylli Manjani në këtë post, pas dekretimit nga Presidenti Bujar Nishani.

Gjithashtu parlamenti ka votuar me 78 vota pro, 31 kundër, planin afatgjatë të zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025’: me 105 vota pro ratifikimin e marrëveshjes me Maqedoninë ‘për mbrojtjen shoqërore”; me 111 vota pro, konventën evropiane për të drejtat dhe liritë themelore si dhe me 78 vota pro pr.ligjin për efiçencën e energjisë.

‘NENI I SHPIFJES’, PD: GODET OPOZITËN, TË RIKTHEHET PËR SHQYRTIM. FELAJ: PR/LIGJI S’ËSHTË NË PROGRAMIN E PUNIMEVE
Partia Demokratike i ka bërë thirrje kreut të Kuvendit Ilir Meta që në fillim të seancës së sotme plenare, që të tërhiqet projektligji për ndryshimet në Kodin Penal. Sipas deputetit demokrat Genc Pollo propozimi i Qeverisë për projektligjin për shpifjen nuk ka kaluar në procedurat normale, dhe as nuk është diskutuar me shoqatën e gazetarëve apo grupet e interesit.

“Nëse pretendon se është kriminalizuar Kuvendi, apo është abuzuar me koncesione e tenderë kuvendi mund ta shqyrtojë. Por së pari janë shkelur procedurat, që kur ndryshohet kodi penal vjen nga Ministria e Drejtësisë, por vjen nga Ministri i Shtetit. Nuk është diskutuar as me shoqatën e gazetarëve, as me shoqatën e të drejtave të njeriut, as me grupet e interesit. Duhet ta tërhiqni, dhe ky projektligj t’i kalojë procedurave, e më pas të vijë prapë në Kuvend”, tha Pollo.

BYLYKBASHI: NENI GODET DREJPËRDREJT OPOZITËN, BE E KONSIDERON SHKELJE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT
Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi theksoi se ligji që parashikon ndëshkim për shpifjen nuk është keqkuptim, por është një cështje që godet drejtpërdrejt.
“Ka një qëllim të qartë dhe nuk është keqkuptim. Të mbyllë cdo zë opozitarizmi. Në mënyrë specifike të godasë median dhe opozitën”.

Sipas Bylykbashit, nëse Rama do të kalojë në parlament këtë nen për shpifjen tek Kodi Penal dhe atë mbi dekriminalizimin, mjafton që një deputet i opozitës ta akuzojë për dicka dhe automatikisht i hiqet mandati.
“Nëse z Rama do të kalojë në parlament këtë ligj dhe ligjin për dekriminalizimin, mjafton që një deputet i opozitës të gjobitet vetëm se ka sharë kryelartësinë, ai deputet humbet mandatin menjëherë. Kjo nuk është në interesin e askujt dhe ju mediat duhet të reagoni”.

Bylykbashi theksoi se, në të gjitha rastet, Këshilli i Evropës dhe OSBE e konsideron këtë shkelje të të drejtave të njeriut.

FELAJ: PR/LIGJI NUK ËSHTË NË PROGRAMIN E PUNIMEVE
Ministrja e Shtetit për Çështjet me Parlamentin, Ermonela Felaj shpjegoi se pr/ligji nuk është i përfshirë në programin e punimeve të Kuvendit.
Ministrja Felaj sqaroi se “shpifja dhe fyerja janë vepra që parashikohen në Kodin Penal sot që po flasim. Eshtë parashikuar vetëm dënimi me gjobë, dënimi me gjobë nuk është dënim civil, por dënim penal, që në rast se gjoba nuk paguhet ai konvertohet në burgim. Ky nen nuk ka për qëllim të penalizojë njerëzit e aq më pak mediat, por që funksionarët e lartë të kenë një standard në komunikim, duke mos shpifur ndaj njëri-tjetrit.”

PALOKA-GAZETARËVE: DUHET TË ISHIT TË PARËT NË PROTESTË. RAMA DEKLARON LIGJET E AGJITACION PROPAGANDËS
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së është shprehur se me një ligj të tillë Rama “rikthen ligjet e agjitacion-propagandës”. Pak para fillimit të seancës plenare, Paloka tha se gazetarët duhet të ishin të parët në protestë pas këtij propozimi.

“Ju të parët duhet të ishit aty në protestë pas këtij kodi, se gjëmë është ajo. Të dalë kryeministri dhe të deklarojë ligjet e agjitacion propagandës është fundi. Nëse neni futet askush nuk ka të drejtë të futet mbi atë kod. Dhe kushto mund të ngrejë padi sipas mënyrës sesi i lexon gjërat. Dhe me këtë drejtësi që e thotë edhe vetë Rama si është, imagjinoni kush fiton. Nëse do kishte një nen të tillë gjatë këtyre viteve, Rama do kishte përfunduar në burg me kohë. Edhe Ramiz Alia para se t’i vinte fundi rrëgjimit, nxori një ligj për mbrojtjen e figurave politike. Po kjo nuk shmangu fundin. Nuk besoj se kjo do kalojë ky ligj, pasi nuk do ta lejojnë as ndërkombëtarët”, tha Paloka.

(el.sp/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: