MAQEDONI– Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka deklaruar se i ka siguruar mandatit e nevojshme për të krijuar qeverinë e re, e cila pritet të formohet në muajin mars.

“Tani duhet patjetër që të merremi vesh për ndarjen e ministrave dhe për platformën reformuese të Qeverisë së ardhshme”, ka thënë Zaev në Sarajevë.

Më herët edhe Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lidhja social-demokrate, janë shprehur optimiste lidhur me arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re, që po zvarritet për më shumë se dy muaj.

Edhe gjatë një takimi mes Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev, tema kryesore e debatit ka qenë përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, por edhe çështje tjera që janë pjesë e deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare.

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se me Ahmetin kanë arritur të harmanizojnë qëndrimet për pjesën më të madhe të ligjit të ri për gjuhën, por për të arritur një marrëveshje finale nevojitet që grupet e punës të punojnë edhe në detajet e fundit që të mos lihet asnjë boshllëk për kontestimin e ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

Zaev u deklarua optimist se do të marrë mandatin për të formuar Qeverinë, megjithatë nuk deklaroi nëse ka marrë garanci nga kreu i BDI-së, për mbështetje me nënshkrimet e deputetëve të partisë së tij.

Ndërkohë, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka folur për afrimin e qëndrimeve, por pa saktësuar nëse mund të flitet për një koalicion të ri me LSDM-në.

Ndonëse ngadalë po afrohet dhe finalizimi i draftligjit për gjuhën shqipe, i cili merr dritën jeshile edhe nga kryesia qendrore e BDI-­së, “Zhurnal’ ka arritur që të mësojë ofertën e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë e drejtuar nga Zoran Zaev ndaj BDI-­së së Ahmetit lidhur me ndarjen e posteve.

Kështu, oferta e LSDM ndaj BDI-­së është si vijon:

Kryetar i Parlamentit
Zv.kryeministër për Implementimin e Marrveshjes së Ohrit
Zv.kryeministër për Eurointegrime
Ministria e Drejtësisë
Ministria e Punëve të Jashtme
Ministria e Shëndetësisë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale
Ministria e Ekonomisë
Drejtoria për Siguri Publike (në kuadër të MPB­së)
Dhe drejtoria e Doganës ose Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP).

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb