PODGORICE- Maqedonia do të intensifikojë bashkëpunimin me vendet e rajonit dhe po kështu pret që të bëhet anëtarja e 30-ta e NATO-s. Këtë e deklaroi kryeministri Zoran Zaev sot në Podgoricë, ku merr pjesë në Samitin e vendeve të Kartës së Adriatikut me nënkryetarin e SHBA-së, Majk Pens.

Zaev në fjalimin e Samitit theksoi se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO paraqet inkurajim, sepse tregon se të gjithë mund të ngriten dhe të kontribuojnë për nevojat kolektive, por edhe për nevojat dhe interesat e qytetarëve të saj.

“Presim që Maqedonia të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s. Punojmë në mënyrë energjike për bashkëpunim në rajon, hapemi drejt fqinjëve. Dje e kemi nënshkruar marrëveshjes edhe me vendet tjera të rajonit”, theksoi Zaev.

Këto hapa që i ka ndërmarrë Qeveria e re e Shkupit, sipas tij, duhet të kontribuojnë për zhvillim të Maqedonisë dhe të rajonit. Zaevi shfaqi shpresë se kjo do ta nxitë dhe përshpejtojë procesin e integrimit të Maqedonisë në BE dhe NATO.

Ai paralajmëroi se Maqedonia në të ardhmen në mënyrë më aktive do të kyçet në misionet e NATO-s dhe do ta rrisë buxhetin për mbrojtje.

Në Samitin e vendeve nga Karta e Adriatikut marrin pjesë edhe kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, Kroacisë, Andreja Plenkoviç, Malit të Zi, Dushko Markoviç, dhe të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiç, si dhe të vendeve vëzhguese, Serbisë, me kryeminsitren Ana Bërnabiç, Kosova me presidentin Hashim Thaçi, dhe Sllovenia me kryeminsitrin Miro Cerar. Në samit merr pjesë edhe zv.presidenti amerikan Mike Pence.

Në përbërjen e delegacionit të Republikës së Maqedonisë janë edhe zëvendëskryetarja e Qeverisë dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska Jankovska, zëvendëskryetari i Qeverisë, i angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë dhe sistem politik, Hazbi Lika, ministri i Punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov dhe deputeti Stevo Pendarovski.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: