“Modeli për të ardhmen fillon me respektimin e të gjithë komuniteteve. Ky model na bën thirrje që të ndërtojmë një vend dhe shoqëri për të gjithë ku kulturat do të bashkëpunojnë, do të plotësohen me njëra-tjetrën do të pasurohen”, tha kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në solemnitetin përfundimtar që u mbajt dje në Manastir, të organizuar me rastin me 22 nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Kryeministri Zaev theksoi se me festimin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe konfirmohet përcaktimi i përbashkët për respektimin dhe avancimin e dallimeve etnike dhe kulturoe, respektivisht pasurisë së Republikës së Maqedonisë.

“Shkrimi dhe gjuha janë në thelbin e identitetit kombëtar dhe veçoritë e tyre janë të endura si fije dalluese të unikalitetit kulturor. Por në të njëjtën kohë çdo gjuhë dhe çdo shkrim në vetvete e fshehin nevojën se nuk duhet të izolohen por të krijojnë komunikim për mirëkuptim dhe tolerancë dhe bashkëjetesë me të tjerët. Shpallja e ditës së sotme si festë zyrtare e Alfabetit të Gjuhës Shqipe është pjesë e trashëgimisë gjuhësore dhe kulturore të Maqedonisë dhe në këtë pikëpamje, shënimi i vlerave kulturore, datave dhe traditave të të gjitha komuniteteve etnike, duke përfshirë edhe atë shqiptar, kontribuon për një të ardhme prosperuese dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë”, tha Zaev.

Sipas tij, në vend ndërtohet një shoqëri e vetme, e barabartë për të gjithë.
“Ndërtojmë shoqëri civile, njëkohësisht me respektimin e dallimeve etnike, kombëtare, fetare dhe kulturore. Kjo është e veçanta dhe thelbi i komunitetit tonë që ndërtohet me shekuj dhe paraqet detyrë për të ardhmen tonë të përbashkët. Dallimin etnik dhe gjuhësor e konsiderojmë si vlerë tonën, për një pasuri të përbashkët”, tha kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb