Martin Atkinson ka qenë dëshmitari më i rëndësishëm në fatin e gjyqit në KAS. Arbitri anglez, me përgjigjet e tij, ka konfirmuar se nuk ka zbatuar si duhet rregulloren dhe se për asnjë moment nuk ka dhënë një mesazh të qartë se lojtarët duhet të ktheheshin patjetër në fushën e lojës, shkruan Panorama.

Delegati i UEFA­-s në ndeshjen Serbi-­Shqipëri, Herri Bin, ka nënkuptuar qartë në deklaratën e tij se nuk ka pasur një urdhër të qartë përkundrejt kapitenit Lorik Cana, që duhet të futeshin patjetër në fushë. Ai ka sqaruar se Shqipëria e kishte të vendosur për të mos vazhduar lojën, por thekson se edhe vetë ata si zyrtarë të sfidës nuk e dinin nëse kushtet e sigurisë ishin të pranueshme, që takimi mund të zhvillohej. Më poshtë, ju servirim edhe seancën e plotë, me pyetjet dhe përgjigjet ndaj saj.

PERGJIGJET E GJYQTARIT ATKINSON

Avokati i Serbisë: Është e vërtetë që ju jeni këshilluar me zyrtarin e sigurisë gjatë pushimit të ndeshjes për të vendosur nëse duhet të vazhdonin apo jo pjesën e mbetur?
Arbitri: Po, është e vërtetë. Po.
Avokati i Serbisë: Por, vendimi përfundimtar u mor nga ju si arbitri i ndeshjes?
Arbitri: Mendoj se vendimi përfundimtar u mor midis meje dhe delegatit të ndeshjes, ku vendosëm që ndeshja nuk do të vazhdonte.
Avokati i Serbisë: A është e vërtetë që ju dhe delegati i ndeshjes ishit të mendimit që ndeshja duhet të vazhdonte?
Arbitri: Ne u munduam ta vazhdonim ndeshjen, po. Ne pritëm aq sa mundej, në mënyrë që ndeshja të rifillonte. Për fat të keq, kjo gjë nuk ndodhi.
Avokati i Serbisë: Ju ua bëtë të ditur të dyja skuadrave që duhet të futeshin në fushë?
Arbitri: Po.
Avokati i Serbisë: Cili ka qenë reagimi i Kombëtares së Shqipërisë pasi ua kërkuat një gjë të tillë?
Arbitri: Kombëtarja e Shqipërisë nuk donte që të vazhdonte ndeshjen. Ata na e bënë të qartë që nuk donin.
Gjyqtari Maesen: Cila ka qenë pyetja juaj përfundimtare ndaj skuadrave, në mënyrë që të kuptohej nëse po i urdhëronit që të riktheheshin në fushën e lojës?
Arbitri: Unë i thirra të dy kapitenët dhe përfaqësuesit e të dyja skuadrave në dhomën e zhveshjeve numër katër së bashku me…
Ndërhyn gjyqtari Maesen: Pra, dy persona nga secila skuadër?
Arbitri: Dy nga secila skuadër dhe u shpjegova që sapo siguria të ishte e pranueshme, do të riktheheshim në fushë dhe të vazhdonim pjesën e mbetur të ndeshjes, plus minutat shtesë. Ata ishin të vetëdijshëm për këtë gjë. Të dyja kombëtaret ishin të vetëdijshme. Pra, ne ua shpjeguam plotësisht, para se të tentonim të riktheheshim në fushë.
Gjyqtari Eilers: Do të doja të vazhdoja mbi këtë temë. Ju u dhatë të dyja skuadrave, në veçanti asaj të Shqipërisë dhe kapitenit respektiv, udhëzime të qarta për t’u rikthyer në fushë se ndeshja duhet të vazhdonte? Apo, edhe ju ishit në dyshime për vazhdimin? Ua komunikuat atyre se do bënit përpjekje për të rifilluar takimin, apo se ata duhet ta rifillonin?
Arbitri: Jo, të dyja ekipeve iu tha se ndeshja po bëhej gati që të rifillonte. Se ne duhet të dilnim dhe të vazhdonim ndeshjen. Nuk kishte debat. Kështu ishte. Ne duhet të dilnim dhe të vazhdonim ndeshjen. Shqiptarët refuzuan.
Gjyqtari Eilers: Pra, pati një urdhër direkt nga ju për skuadrën e Shqipërisë dhe kapitenin e tyre se ndeshja duhet të rifillonte?
Arbitri: Të dyja skuadrave iu tha se duhet të dilnin në fushë, sapo të garantohej siguria.
Gjyqtari Eilers: Pra, Serbia e zbatoi urdhrin tuaj dhe Shqipëria nuk e bëri. Tani, ekipi i Shqipërisë pretendon se nuk ka pasur një urdhër të qartë nga ana juaj për të vazhduar ndeshjen. Kjo është pika më e rëndësishme.
Arbitri: Të dyja skuadrave iu komunikua se duhet të riktheheshin në fushë dhe të vazhdonin lojën, sapo siguria të garantohej.
Avokati i Shqipërisë: A kishit ju dijeni për pozicionin që ndodhej kapiteni i Shqipërisë, apo nuk kishte aspak rëndësi për ju? Në një situatë të tillë?
Arbitri: Doni të thoni në dhomat e zhveshjes?
Avokati i Shqipërisë: Po.
Arbitri: Unë e kuptova plotësisht kapitenin. Por, që të jem i drejtë dhe dua ta theksoj këtë, të dy kapitenët u treguan të shkëlqyer. Ata ishin me të vërtetë shumë ndihmues. Ata u munduan të bashkëpunojnë. Ata u munduan të më ndihmojnë dhe unë i kuptoj edhe emocionet e tyre në ato momente.
Avokati i Shqipërisë: Po, dhe kur ai ju tha se nuk do riktheheshin në fushë, a i keni thënë ju: “Më vjen keq, por duhet të ktheheni?”. Unë mendoj se kjo është pyetja më e rëndësishme. Dhe unë nuk jam i sigurt nëse ju vërtet iu përgjigjët. Ju urdhëruat të riktheheshin në fushë, por duke shtuar gjithashtu “sapo siguria të garantohej”. Nëse ky ka qenë urdhri juaj, atëherë ka qenë një urdhër i kushtëzuar…
Arbitri: Të dyja ekipet, të dy kapitenët ishin të vetëdijshëm që ndeshja do të rifillonte.

PËRGJIGJET E DELEGATIT TË UEFA­S

Avokati i Shqipërisë: Duke parë raportin tuaj, vërej të thoni që keni pasur kontakte me UEFA­-n dhe keni pasur si synim që ndeshja të rifillonte.
Delegati i UEFA-­s: Po.
Avokati i Shqipërisë: Çfarë nënkuptoni me synim?
Delegati i UEFA-­s: Në fakt, synimi ynë është gjithmonë që një ndeshje të rifillojë. Ndeshjet prandaj organizohen dhe planifikohen, në mënyrë që ato të zhvillohen. … Në fakt, të jem i ndershëm, vendimi nuk ishte që të rifillonim ndeshjen dhe njëkohësisht ne nuk kontrolluam nëse kushtet e sigurisë ishin të pranueshme. Ndeshja nuk vazhdoi sepse futbollistët e Shqipërisë nuk donin që të luanin akoma. Nëse ata do ishin dakord për të vazhduar lojën, atëherë ne do kontrollonim kushtet e sigurisë, nëse ishin në nivelin e pranueshëm. Nuk arritëm në një konkluzion sa i përket sigurisë. Nuk e bëmë këtë sepse futbollistët e Shqipërisë nuk donin të vazhdonin ndeshjen.
Avokati i Shqipërisë: A keni pasur një kontakt direkt me kapitenin e Shqipërisë gjatë pushimit?
Delegati i UEFA-­s: Po.
Avokati i Shqipërisë: A jeni munduar që ta bindni atë dhe shokët e tij të skuadrës që të rifillonin lojën? Ejani, le të kthehemi në fushë etj?
Delegati i UEFA­-s: Jo.
Avokati i Shqipërisë: Le ta bëjmë…
Delegati i UEFA-­s: Jo, jo, jo. Ajo që unë bëra, ishte… Të jem i ndershëm, ai ishte qartazi i vendosur dhe atmosfera mes dy kapitenëve ishte pozitive. Ishte një atmosferë bashkëpunuese mes tyre. Por, kapiteni i Shqipërisë ishte i qartë. Ai tha që ekipi i tij, njerëzit e tij, lojtarët e tij janë të lënduar. Nuk ishin të lënduar vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht. Ata kishin telefonuar me familjarët e tyre. Mbaj mend që kapiteni më tha se nuk u interesonin aspak pikët, për fitoren apo humbjen. Ata donin të riktheheshin të sigurt pranë familjeve dhe se nuk kishin ndër mend të riktheheshin në fushë.
Avokati i Shqipërisë: Kur ju thoni që ai ishte bindës, keni dashur të nënkuptoni që bini dakord me të. E kam fjalën, ato që ai thoshte ishin të drejta?
Delegati i UEFA-­s: Jo, nuk ishte një çështje dakordësie. Ai e kishte seriozisht atë që thoshte. Unë ia thashë që kur një prej dy ekipeve refuzon të luajë, është diçka serioze. Ia thashë këtë. Jo një herë, por dy. Por, ai ishte shumë i bindur dhe mund ta kuptoja. Pra, nuk kishte nevojë që unë t’i thosha “le ta bëjmë” apo “le të kthehemi në fushë”.
Inspektori i Etikës dhe Disiplinës në UEFA: A mund të na thoni, nëse gjatë kohës që ishit në dhomat e zhveshjes në takim me arbitrin, zyrtarin e sigurisë dhe kapitenët e skuadrave, dëgjuat që gjyqtari ua kërkoi në mënyrë të qartë kapitenëve se duhet të zbrisnin në fushë për të vazhduar ndeshjen?
Delegati i UEFA-­s: Po, ne e diskutuam. Më falni! Ne e diskutuam me të dy kapitenët se çfarë duhet bërë dhe nuk ua bëmë të qartë synimin për të vazhduar lojën. Por, zoti Cana, kapiten i Shqipërisë, e bëri të qartë që në fillim që nuk kishte asnjë shans që ekipi i tij të rikthehej në fushë.
Gjyqtari Eilers: Por ne dëgjuam nga ju që ju nuk analizuat si ishin kushtet e sigurisë në stadium dhe a ishte e mundur që ndeshja mund të vazhdonte…
Delegati i UEFA-­s: Po, është e vërtetë.
Gjyqtari Eilers: Po si është e mundur që ju u kërkoni futbollistëve të rikthehen në fushë, pa qenë të sigurt që ndeshja mund të zhvillohej?
Delegati i UEFA-­s: Jo. Nuk shkoi kështu. Ne biseduam me kapitenët dhe u thamë atyre se synonim që të rifillonim ndeshjen. Nëse të dy do të kishin qenë dakord, hapi tjetër që do ndiqnim ishte që të kontrollonim kushtet e sigurisë, nëse ato lejonin që ndeshja të zhvillohej në normalitet.
Gjyqtari Eilers: E imagjinoj veten sikur jam kapiteni i skuadrës dhe më duhet të di se sa përgjegjësi marr përsipër që t’u kërkoj shokëve të skuadrës që të zbresin në fushë. Unë dua të jem i garantuar sa i përket sigurisë. Ju thoni që siguria nuk ishte e garantuar në ato momente, kur u kërkuat lojtarëve që të riktheheshin në fushë…
Delegati i UEFA­-s: Nuk u kërkova futbollistëve që të vazhdonin lojën. Ne thjesht patëm synimin që ndeshja të rifillonte. Dhe kapitenët nuk na pyetën neve nëse garantohej siguria apo jo. Kapiteni i Shqipërisë e mori vetë vendimin, duke deklaruar se kushtet fizike dhe emocionale të lojtarëve të ekipit nuk mundësonin dot vazhdimin e asaj përballjeje.

(m.k/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: