TIRANË- Kontejneri me banane nga Kolumbia ka ardhur me vonesë në portin e Durrësit dhe menaxheri i Arbri Garden është njoftuar nga një agjent doganor se kamioni kishte dalë me shenjë në skaner dhe duhej të shkarkohej. Këto të dhëna janë zbuluar nga menaxheri Donaldo Lushaj, dëshminë e të cilit ka arritur të zbardhë gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb”.

Për më tepër sipas dëshmisë së Lushaj, pronari i Arbri Garden, Arbër Çekaj që kishte porositur ngarkesën me banane ishte njoftuar nga autoritetet italiane se kontejneri ishte kontrolluar në portin e Livornos. Çekaj nga ana e tij e kishte dërguar e-mailin e italianëve në Doganën e Tiranës.

“’Kam 4 vite që punoj si menaxher i kompanisë Arbri Garden. Merrem me menaxhimin e firmës dhe agjentët e shitjes’, thotë Donaldo Lushaj në dëshminë e tij dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore. Sipas tij porositë bëhen kryesisht nga pronari Arbri Çekaj Jansen, rezulton që Arbër Çekaj i shpallur në kërkim ka edhe një mbiemër tjetër, kryesisht në Kolumbi, Ekuador dhe Argjentinë. Porositë bëhet rreth 25 deri në 30 ditë para. ‘Sa i përket ngarkesës së fundit ku u bllokua edhe droga, kontejnerët kanë qenë dy javë me vonëse’, thotë menaxheri i kompanisë, një ndër dy të arrestuarit për trafikimin e kësaj sasie të madhe kokaine nga Kolumbia në drejtim të portit të Durrësit.
‘Arsyeja e vonesës me sa di unë,- thekson ai- ka qenë pasi janë ndaluar për inspektim në portin e Livornos në Itali. Për këtë pronarit Arbër Çekaj i kishte shkuar një e-mail për raportin e inspektimit ku ai duhet të paguante një shumë prej 4 mijë eurosh për ngarkim-shkarkimin e bërë në portin e Livornos të porosisë me banane. Ky e-mail thuhet në dosjen e policisë dhe prokurorisë i është dërguar Doganës së Tiranës nga pronari Arbër Çekaj i cili tashmë është në kërkim prej datës 27 shkurt.
Sa i përket ditës së ngjarjes, Donald Lushaj thotë se ‘jam njoftuar me telefon nga agjenti doganor A.M. se njëri nga dy kontejnerët kishte dalë me shenjë në skaner dhe duhej shkarkuar për kontroll’. Në këtë moment, Donaldo Lushaj së bashku me disa punonjës ka shkuar në portin e Durrësit. Përmes agjentit doganor janë bërë dokumentet, është shkarkuar i gjithë kamioni nga ngarkesa me banane dhe forcat e policisë, agjentët e antidrogës dhe agjentët e hetimit doganor kanë konstatuar se në anën e djathtë të kontejnerit kishte ndërhyrje. Një pjesë e llamarinës anësore ishte e hapur dhe ndërkohë dukeshin gjurmë silikoni, i cili me sa duket ishte përdorur për të izoluar të gjithë pjesën e ndërhyrjes në pjesën e poshtme të kontejnerit. Për të mos rënë në sy policia ka bërë një shpim në pjesën e poshtme të kontejnerit, ka konstatuar se aty ndodhej lënda narkotike dhe më pas ka vendosur që ta lërë drogën të shkojë në destinacion me shpresën se do kapte edhe peshqit e mëdhenj që e kishin porositur atë”, raportoi Lala.

Ajo ngre disa pikëpyetje në lidhje me operacionin e deklaruar nga qeveria dhe policia si tërësisht shqiptar. “Tashmë kur kanë kaluar kaq ditë nga goditja super e madhe që u konsiderua si një aksion tërësisht shqiptar, lindin disa pyetje. A mos vallë nuk arritën autoritetet italiane në Livorno ta pikasnin drogën apo e lanë ata dhe informuan autoritetet shqiptare me qëllimin që të shikonin se ku do të shkonte droga dhe kush fshihej pas saj? A është ky një operacion tërësisht shqiptar apo nisur nga indicie të ardhura nga jashtë, policia shqiptare ndërhyri dhe bëri këtë operacion? Të gjitha këto pyetje presin përgjigje nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda. Por ajo që konstatojmë nga të gjitha informacionet që dalin ditë pas dite, të gjitha gjasat janë që ky operacion nuk është tërësisht shqiptar, sikurse po përpiqet të theksohet nga autoritetet shqiptare por se ka pasur sinjalizim nga autoritetet e huaja. Sikurse thotë vetë menaxheri i kompanisë, i cili ndodhet aktualisht nën masën e arresti me burg e me gjasë do të tentojë me siguri t’i shpëtojë burgut përmes Gjykatës së Apelit. Fakti është i tillë, ngarkesa është vonuar dy javë në portin e Livornos, atje ku iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm. Mos vallë italianët nuk e pikasën? Është një pyetje që kërkon përgjigje apo mos vallë italianët sinjalizuan autoritetet shqiptare dhe e lanë këtë sasi rekord me vlerë 180 milionë euro të mbërrijë në portin e Durrësit, më pas me dorëzim të kontrolluar të shkonte në magazinat e Maminasit, në pronësi të Arbri Garden? Të gjitha pyetje presin një përgjigje, pavarësisht se autoritetet shqiptare me çdo kusht e çdo mënyrë po përpiqen ta shndërrojnë këtë operacion në një operacion tërësisht shqiptar pa ndihmën e shërbimeve partnere, edhe pse provat moment pas momenti duket se po flasin kundër tyre”, raportoi Lala.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb