TIRANË- Zbardhet opinioni i Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me amendamente kushtetuese për reformën në drejtësi. Në opinionin e LSI-së, deputeti Spartak Braho thotë se Komisioni i Venecias kërkon garanci që lidhen me procesin dhe thjeshtim të institucioneve të propozuara. Sipas tij, modeli i ndërhyrjes në Kushtetutë është larg qasjes së Venecias. Gjithashtu LSI kërkon që funksioni i procedimit të gjyqtarëve, t’i mbetet Ministrisë së drejtësisë.

I. SI E LEXON LSI DRAFT OPINIONIN E KOMISIONIT TË VENECIAS
Në rekomandimet e tij dërguar Komisionit të Posacem Parlamentar për Reformën në Drejtësi, përvec sugjerimeve të karakterit të thjeshtë teknik, në këto rekomandime ai ndalet edhe në disa çështje parimore dhe thelbësore, që kanë të bëjnë me 3 çështje kryesore që duhet të udhëheqin hartimin e amendamenteve Kushtetuese, të cilaqt janë:

a.Konsensusi; b.Ndërhyrje minimaliste në tekstin e Kushtetutës; c.Thjeshtimi (reduktim) i institucioneve të reja të propozuara paraprakisht.

1. Garancitë që lidhen me procesin (duke patur në konsideratë pjesën e mbetur të tij), nënkuptojnë kryesisht dhe para së gjithash vendimmarrje të një natyre politike nga ana e Kuvendit, duke kuptuar dhe nënkuptuar si themel të domosdoshëm konsensusin politik, që do të thotë pjesëmarrjen aktive të opozitës në miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
Kushtetuta është origjina e ligjshmërisë së një vendi. Ajo konsiderohet si një pakt qytetar, është baza e ligjshmërisë së shtetit, ku mishërohen në mënyrë të imunizuar të drejtat dhe detyrat e qytetarëve. Kushtetuta ka rëndësi jetike, pasi përbën kornizën ligjore që normon veprimtarinë e shtetit. Për këtë arsye lind domosdoshmëria që jo vetëm përmbajtja, por dhe forma e saj të jenë ideale. Si forma, si përmbajtja e amendamenteve të paraqitura duhet të gjejnë konsensusin e të gjithë aktorëve politikë, duke ndikuar kështu dhe në besimin publik për ndërhyrjet në Kushtetutë. Pjesëmarrja e të gjitha forcave është e domosdoshme për të garantuar jetëgjatësinë e procesit.

2. Ndërhyrje minimaliste në tekstin e Kushtetutës.
Modeli i propozuar i ndryshimeve Kushtetuese është ende larg qasjes së propozuar dhe nga Komisioni i Venecias për ndërhyrje dhe ndryshime minimaliste në tekstin e Kushtetutës. Sigurisht që opinioni i Komisionit të Venecias, nuk duhet të saktësojë nga pikëpamja sasiore se sa duhet të jenë këto ndryshime, por drafti i propozuar prej 57 nenesh, qartësisht është larg kësaj qasjeje. Rëndësia dhe impakti i procesit/kësaj reforme, natyrisht që kërkojnë ndryshime kushtetuese të karkaterit thelbësor, por jo sasior. Ndërhyrja me 57 nene në një teskt kushtetues me 183 nene, praktikisht e sjell frymën më shumë drejt një kushtetute të re, sesa drejt ndryshimeve kushtetuese. Edhe nga pikpamja e teknikës legjislative, një hap i tillë nuk është i rekomandueshëm;
Sugjerimi ynë është të hartojme një projekt amendamentesh të shkurtuara dhe të natyrës parimore.

3. Thjeshtimi (reduktimi) i numrit të institucioneve.
Procesi konsensual, ndërhyrjet minimaliste, që lidhen më shumë me formën e paraqitjes së amendimeve dhe procesin, ka dhe një anë tjetër që do duhet konsideruar edhe sipas opinionit të Komisionit të Venecias, ai i thjeshtimit të skemës institucionale. Para krijimit të një skeme të re organizimi të sistemit të drejtësisë, vlerësojmë se më parë duhet të kishte një lidhje logjike mes zgjidhjeve të propozuara lidhur me modelimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe përfundimeve të arritura nga Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri. Një zgjidhje mund të ishte që bazuar mbi këtë analizë, të propozoheshin ndryshime që garantojnë funksionimin e institucioneve ekzistuese, duke ndryshuar rregullat e funksionimit të tyre, bazuar në analizën funksionale të këtyre institucioneve;

Në këtë kuptim, mund të ishte mjaftueshëm ndryshimi në përbërjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke përfshirë dhe sistemin e prokurorisë brenda KLD-së dhe duke ndryshuar raportin gjyqtar me jo gjyqtarë si anëtarë të KLD-së, për të shmangur korporatizmin evident të deritanishëm;

Një qasje e tillë shkon kah thjeshtimit të skemës së institucioneve, siç propozon Komisioni i Venecias, pasi edhe nga pikpamja e parimit të unitarizmit, do ishte më e pranueshme që në vend të dy këshillave apo dy trupave (gjyqësor dhe prokurori) të kishim një të vetëm;

Në këtë skemë të re të ideuar, Tribunali i Drejtësisë është një zgjidhje e pranueshme dhe që nuk e ngarkon skemën ekzistuse të institucioneve, qoftë dhe për faktin se do të jetë një organizëm ad hoc, që zgjidh disa prej ngërçeve të krijuara nga skema aktuale e instutucioneve të drejtësisë;

Ndërkohë që inspektimi shkon kah unitetit, emërimi dhe disiplinimi ndahet. Ky lloj dyzimi në konceptim të institucioneve shkon në drejtime të kundërta.

II. GJYKATA KUSHTETUESE
Në debatin publik të zhvilluar lidhur me Gjykatën Kushtetuese, diskutimet mbi përbërjen ndahen në dy drejtime: atë të emërimit të anëtarëve të saj me shumicë të cilësuar prej 3/5, apo me shumicë të cilësuar prej 2/3.

Në kuptimin tonë, mendojmë se sugjerimi i Komisonit të Venecias, referuar rastit të Hungarisë, nuk lidhet detyrimisht me shumicën e cilësuar, por me përfshirjen e opozitës në procesin e emërimit dhe në një vendimmarrje konsensuale.

Një shembull i mirë që ka funksionuar sa i përket vedimmarrjes konsensuale dhe që nuk lidhet me vendimmarrjen me shumicë të cilësuar, duke ruajtur balancën, është zgjedhja e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjithashtu praktika e derisotme në emërimin e gjyqtarëve të gjykatës Kushtetuese sipas një marrëvëshje politike për paritet ndërmjet pozitës dhe opozitës, ka dhënë rezultat. Gjykata Kushtetuese në sjelljen e saj nuk ka krijuar shumë hapësira për kontestim publik. Ajo ka qenë dhe mbetet një gjykatë jo e kontestuar.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka një propozim që e zgjidh këtë ngërç, propozim I cili gjendet në analizën teknike të draft amendamenteve. Ky propozim thjeshton jo vetëm procedurën, por shmang dhe ngërçet e mundshme në Kuvend gjatë zgjedhjes së anëtarëve, siç po ndodh rëndom prej dy vitesh për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

III. ROLI I MINISTRIT TË DREJTËSISË
Nuk ka asnjë dyshim se sugjerimi i Komisionit të Venecias lidhur me prezencën e Minsitrit të Drejtësisë në Tribunalin Gjyqësor është logjik. Është gjithashtu logjike që, prania e Ministrit të Drejtësisë si anëtar i trupës që emëron/shkarkon gjyqtarët dhe prokurorët, është e tepërt.

Por nga ana tjetër, prania e Ministrit të Drejtësisë nuk duhet të vërë në dyshim parimin e kontrollit dhe balancës. Ministri duhet të jetë ura lidhëse mes gjyqësorit dhe ekzekutivit.

Projekti i propozuar, sugjeron me të drejtë që funksioni i inspektimit dhe procedimit disiplinor të gjyqtarëve dhe prokurorëve t’i hiqet Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe t’i kalojë një insititucioni të ri Kushtetutes, që është Inspektorati i Lartë i Drejtësisë. Nëse kjo pranohet, së pari do krijohet një Ministër Drejtësie paralel. Ne mendojmë dhe sugjerojmë që funksioni i inspektimit në mënyrë të natyrshme, siç ndodh në shumicën e vendeve dhe praktikave Europiane dhe në kushtet kur i hiqet Këshillit të Lartë të Drejtësisë, t’i mbetet Ministrit të Drejtësisë, ndryshe, rreziku është i lartë për krijimin e një korporatizmi me cikël të mbyllur.

Krijimi i një inspektorati të pavarur të shkëputur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë apo Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në dukje krijon përshtypjen e një zgjidhjeje optimale, por rrit rrezikun e deritanishëm prezent lidhur me llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë. Prandaj, për të vendosur balancën ndërmjet pushteteve, sugjerojmë vendosjen e Ministrit të Drejtësisë në detyrën publike të iniciimit të procedimit disiplinor dhe të përfaqësimit të kësaj procedurë para organit vendimmarrës, ku tashmë nuk është anëtar. Pra Ministri është palë në proces dhe jo vendimmarrës. Natyrisht ligji duhet të vendosë garanci të plotë që, kur kjo detyrë nuk ushtrohet nga Ministri, të ketë mundësi t’a ushtrojë atë Kryetari i Gjykatës së Lartë ose vetë Prokurori i Përgjithshëm.

Edhe në kushtet kur si opsion i pranueshëm do të jetë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si dy institucione të ndryshme, për përbërjen e tyre mund të ndiqet shembulli Kroat, që garanton pluralitet të zgjedhjes dhe përfaqësimit, sikurse rekomandon opinioni i Komisionit të Venecias (një shembull i mirë zgjidhjeje mund të ishte modeli kroat, sipas të cilit një vend nga anëtarët që zgjedh Kuvendi, i garantohet opozitës parlamentare). Kjo shmang dhe debatin bllokues të momentit, 3/5, apo 2/3, si dhe garanton mosbllokimin e procesit në të ardhmen, si dhe çdo opozitë e rradhës do të ndihet e përfaqësuar nga këto institucione.

IV- GJYKATA E LARTË
Siç ka evidentuar edhe analiza e bërë, por edhe përvoja e viteve të fundit, konfirmon që Gjykata e Lartë vetëm de jure është e tillë. De facto, vepron si një Gjykatë Kasacioni, për të mos thënë që rëndom kthehet dhe në një gjykatë të shkallës së tretë. Përpos të qënurit larg një gjykatë eficiente, Gjykata e Lartë për më tepër, nuk mund të realizojë funksionin që kushtetuta aktuale i atribuon, atë të unifikimit të praktikës gjyqësore. Në këtë kuptim, konfirmimi tashmë de jure dhe de facto i një gjykate që garanton unfikimin e praktikës gjyqësore dhe shmangien nga modeli de facto i një gjykate kasacioni, do të ndikonte pozitivisht si në terma të efektshmërisë apo efiçiencës, ashtu edhe në terma të përmirësimit të cilësisë së dhënies së drejtësisë. Kjo lloj mënyre e të kuptuarit, nënkupton pasjen e një gjykate të vetme të lartë, me kolegje sipas juridiksioneve përkatëse dhe jo krijimin e një sistemi paralel në hierarkinë e gjykatave. Nëse do të shkonim drejt kësaj të fundit, sistemi vetëm sa do të komplikohej dhe do të ishim larg skemës së thjeshtuar që kërkon Komisioni i Venecias. Sipas logjikës së propozuar në draft amendament, do të duhej të krijoheshin sisteme paralele dhe për drejtësinë penale apo civile, përpos asaj administrative. Praktikisht do të duhej të kishim tre ose më shumë gjykata të larta.

V-PROKURORIA
Formulimi aktual i tekstit të Kushtetutës është mëse i mjaftueshëm dhe garanton sanksionimin e parimit se organi i vetëm që ka ekskluzivitetin e hetimit penal, është prokuroria. Nga ana tjetër, për sa kohë që Kushtetuta e lidh organizimin e prokurorisë me atë të sistemit gjyqësor, çdo detajim i mëtejshëm do të ishte i tepërt. Sa më sipër, në tekstin e Kushtetutës duhen vetëm saktësime minimale, për t`i dhënë rolin aktiv prokurorisë.

VI- PARIMI I KARRIERËS
Përvoja që ka patur Shqipëria deri më tani, tregon më së miri se ka ardhur koha e zbatimit në masën 100% të parimit të karrierës brenda sistemit gjyqësor. Ky sugjerim është evidentuar edhe në Progres Raportet e Komisionit Evropian për Shqipërinë. Ka ardhur momenti të mbyllet mundësia e futjes së juristëve nga jashtë sistemit dhe rritja në karrierë brenda sistemit gjyqësor të jetë zgjidhja dhe mundësia e vetme.

VII- MANDATET E INSTITUCIONEVE AKTUALE KUSHTETUESE
Mbështesim mendimin e Komisionit të Venecias se mandati i institucioneve duhet të ndërpritet vetëm në ato raste kur institucioni, pas amendamenteve kushtetuese, nuk ekziston më.

VIII- MBI VLERËSIMIN KALIMTAR TË KUALIFIKIMIT TË GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE (VETTING PROÇESS)
Në tekstin e një Kushtetute, parashikimet e detajuara janë të tepërta dhe nuk përshtaten me natyrën që duhet të ketë ligji themeltar i një vendi. Propozimi ynë është të hartohet një dispozitë e vetme tranzitore, ku të saktësohet në mënyrë parimore procesi i Vetting. Për të kryer procesin e vlerësimit, ne propozojme që Kushtetuta të sanksionojë krijimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe çështjet për të cilat do të vendosë ky komision, e konkretisht:
a. Integritetin moral dhe profesional te gjyqtarëve dhe prokurorëve;
b. Pasurinë e tyre, në raport me deklarimet e bëra.

Po kështu, për të garantuar se procesi nuk do të bllokohet gjatë fazës së implementimit, duke u ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, është përfshirë parashikimi se: “Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Procesit të Rivlerësimit, miratohet me jo më pak se 3/5 e anëtarëve të Kuvendit dhe është i paankimueshëm në Gjykatën Kushtetuese”.

Drafti, në reflektim të Opinionit të Komisionit të Venecias, parashikon se kundër vendimit të Komisionit të Rivlerësimit, mund të bëhet ankim në Tribunalin Disiplinor të Drejtësisë. Ndërkohë që, përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duhet dhe do të rregullohet me ligj, jo në tekstin e Kushtetutës.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: