Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, do të jenë anëtarë të bordit menaxhues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. SHBA dhe BE kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi për ndihmesën që do të japin gjatë zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri. Misioni i BE-së në Tiranë ka publikuar në faqen e vet zyrtare marrëveshjen e plotë si dhe korrespondencat që shefja e ONM-së, Genoveva Ruiz Calavera ka shkëmbyer me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Pikërisht në një letër të saj, të datës 7 shkurt 2017, drejtuar Agaçit, por edhe ministres së Integrimit Klajda Gjosha, ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, Avokatit të Popullit Igli Totozani si dhe sekretares së përgjithshme të Kuvendit, Albana Shtylla, Calavera njofton anëtarët e bordit të menaxhimit të ONM-së. Në këtë letër, shefja e ONM-së saktëson se:
“Kreu i delegacionit të BE-së dhe ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri mund të marrin pjesë në bordin menaxhues të ONM-së si anëtarë jo të përhershëm, veçanërisht kur takimet do të zhvillohen në Shqipëri”.

Marrëveshja
Ndërkohë, në marrëveshjen e firmosur mes SHBA-ve dhe BE-së qysh në nëntor të 2016-ës, mes Christian Danielsson, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin dhe Fqinjësinë në Komisionin Evropian, dhe James A. Walsh, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit, në Byronë e Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, në SHBA, palët angazhohen të mbështesin zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

“Të dyja palët të përpiqen të forcojnë bashkëpunimin teknik dhe administrativ për të vendosur dhe menaxhuar mbërritjen e ONM-së. ONM-ja synon të rrisë transparencën, sigurinë dhe garancitë kundër abuzimeve përgjatë vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, me objektivin gjithëpërfshirës për të siguruar rritjen e pavarësisë, transparencën dhe efektivitetin e gjyqësorit”, thuhet në marrëveshje. Kjo marrëveshje parashikon edhe detyrat e SHBA-ve dhe BE-së në procesin e vetingut, duke përzgjedhur vëzhguesit ndërkombëtarë me të paktën 15 vjet eksperiencë si prokurorë ose gjyqtarë, të cilët do të kenë si qëllim: “Hartimin e rekomandimeve në lidhje me seleksionimin e kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit, të Kolegjit të Apelimit dhe 2 komisionerëve publikë; Hartimin e rekomandimeve në lidhje me kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.
Palët do të asistojë vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke siguruar informacione shtesë dhe prova në bashkëpunim me vende të tjera si dhe do të monitorojë dhe të mbikëqyrë të gjithë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në këtë marrëveshje theksohet se “besimi i qytetarëve shqiptarë në këtë proces është kyç, veçanërisht duke konsideruar besimin e ulët në sistemin e drejtësisë. Kushtetuta e Shqipërisë, në aneksin e saj, si dhe ligji i vetingut përcaktojnë që një Operacion Ndërkombëtar Monitorimi ngrihet për të shoqëruar procesin e vlerësimit në kuadrin e integrimit europian, me detyrën e krijimit të një klime të besimit dhe për të garantuar se procesi është kryer me përgjegjësi të plotë, bazuar në parimet ligjore dhe transparencë”.
Detyrat e ONM-së, sipas kësaj marrëveshjeje, e cila bazohet në Kushtetutën e re të Shqipërisë, janë të japë mendime për kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionet e anëtarëve të organeve të verifikimit; të paraqesë gjetjet dhe mendimet dhe për të kontribuar në vlerësimin e beckground-it, për shembull të kërkojë që organet e verifikimit të marrin prova apo dëshmi nga organet shtetërore, subjektet e huaja ose personat privatë, në përputhje me ligjin. Që prej datës 17 shkurt, anëtarët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kanë nisur punën duke vlerësuar 192 kandidatët për organet e vetingut, e pas këtij vlerësimi i takon parlamentit të zgjedhë 27 personat që do të bëjnë vetingun për 9 vitet e ardhshme.

PIKAT E MARRËVESHJES MES SHBA-BE PËR ONM
Kjo marrëveshje parashikon edhe detyrat e SHBA-ve dhe BE-së në procesin e vetingut, duke përzgjedhur vëzhguesit ndërkombëtarë me të paktën 15 vjet eksperiencë si prokurorë ose gjyqtarë, të cilët do të kenë si qëllim:
– Hartimin e rekomandimeve në lidhje me seleksionimin e kandidatëve për anëtarë të
Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit, të Kolegjit të Apelimit dhe 2 komisionerëve publike;
– Hartimin e rekomandimeve në lidhje me kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
– Të asistojë vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke siguruar informacione shtesë dhe prova në bashkëpunim me vende të tjera;
– Të monitorojë dhe të mbikëqyrë të gjithë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: