Nga: Senad NIKSHIQI

Bujar Kuçi, 62-vjeçari që vrau nipin e tij, Mirsad Kuçi, në Shkodër, është marrë në pyetje në policinë e Shkodrës. “Isha në gjendje të pirë dhe realisht unë nuk e mbaj mend çfarë ka ndodhur në shtëpinë time. Nuk e di se çfarë ka ndodhur… di vetëm që kemi debatuar dhe s’mbaj mend nga rrëmuja që është bërë në kuzhinë”.

Ndërkohë, sipas të dhënave të siguruara nga grupi hetimor, bazuar në dëshmitë e marra të të afërmve, përveç pretendimeve dhe debateve për makinën që viktima e parkonte në oborrin e përbashkët që kishin dy familjet, mësohet se xhaxhai kishte debatuar me nipin e tij edhe për jashtëqitjen e qenit. 62- vjeçari i është drejtuar duke i kërkuar llogari se “përse qeni yt vjen në pjesën time dhe ndot edhe ambientin”.

Kjo pasi dy familjet jetojnë në një oborr të përbashkët pa mur ndarës, por në dy shtëpi të ndryshme. Kaq është dashur që viktima Mirsad Kuçi të shkojë për t’u sqaruar te banesa e xhaxhait të tij. Në debat e sipër, në mënyrë të papritur, xhaxhai ka marrë thikën dhe e ka goditur tri herë, në këmbë, në bark dhe goditja fatale ka qenë në krahun e zemrës, duke i prekur arteriet nipit të tij.

Në pak sekonda Mirsad Kuçi ka bërë tentativë të dalë nga kuzhina, por ka ecur vetëm pak metra dhe ka rënë në tokë duke ndërruar jetë. Vrasja e 33-vjeçarit nga xhaxhai i tij ndodhi në orën 15:50 të së shtunës pas teatrit “Migjeni”, në një rrugë dytësore shumë afër qendrës së qytetit.

Pasi kanë debatuar mes tyre për oborrin dhe jashtëqitjen e qenit, në mënyrë të beftë shtetasi Bujar Kuçi ka goditur me thikë nipin e tij, Mirsad Kuçi, duke e lënë të vdekur në vendin e ngjarjes.

Xhaxhai dhe nipi prej disa vitesh kishin debate të tilla për oborrin, derisa ato precipituan tragjikisht. Në vendngjarje mbërriti me shpejtësi ambulanca, por ishte e pamundur për t’i dhënë ndihmën e parë, sepse i riu kishte humbur jetën nga plagët që kishte marrë në trupin e tij. Bashkëshortja, vajza dhe babai i viktimës kanë parë trupin e pajetë të Mirsad Kuçit të larë në gjak duke u tronditur për atë çfarë ka ndodhur dhe atë masakër që kanë parë me sytë e tyre.

Pas ngjarjes së rëndë, menjëherë kanë mbërritur forcat e policisë, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të ngjarjes, 62- vjeçarit Bujar Kuçi, i cili nën efektin e alkoolit deklaroi se nuk e mban mend se çfarë ka ndodhur. Edhe para 4 viteve, Bujar Kuçi ka tentuar të vrasë nipin e tij me një çifte për debate të tilla.

Asokohe Mirsad Kuçi shpëtoi për mrekulli, sepse xhaxhai nuk dinte të përdorte çiften, ndërsa tentoi që ta qëllonte po në gjendje të dehur. Pas 4 vitesh arriti që t’i marrë jetën për një debat banal. Mirsad Kuçi ishte baba i dy fëmijëve, një vajze dhe një djali të vogël. Njëri prej fëmijëve të viktimës ka parë trupin e përgjakur të të atit dhe ka dhënë alarmin për ngjarjen e rëndë.

Policisë së Shkodrës nuk i është dashur shumë kohë për të mbërritur në vend dhe për të arrestuar autorin. Ky i fundit mësohet se nuk ka bërë rezistencë dhe se gjatë marrjes në pyetje ka pretenduar se nuk i kujtohej momenti i krimit, pasi kishte qenë i dehur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: