VLORE- Policia e Vlorës ka arritur të zbardhë vrasjen e mbrëmshme në një lokal nate, në lagjen “Ujë i Ftohtë” në Vlorë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri pas një konflikti të çastit humbi jetën 33-vjeçari Ergys Gjioveshaj dhe mbetën të plagosur tre të tjerë. Policia ka arrestuar edhe një nga autorët si dhe shpalli në kërkim 2 shtetas të tjerë.

Gjithnjë sipas policisë, shkak për vrasjen dyshohet të jetë bërë një sherr për motive banale mes Ergysit dhe autorëve të krimit, Gani Tozaj, 19 vjeç, banues në fshatin Sevaster, Vlorë dhe A.K 37-vjeç. Pas sherrit Tozaj dhe A.k qëlluan me 6 plumba, 33-vjeçarin duke e lënë të vdekur brenda lokalit të natës, si dhe plagosën shoqëruesen e tij, Arta Lukaj, bashkë me dy të tjerë. Pra në këtë mënyre bie skenari që ky i fundit mund të jetë ekzekutuar për hakmarrje, për krimin që ka kryer në vitin 2000 në Vlorë.

Ai akuzohej se bashkë me Florian Meçen kishin vrarë Laert Alushin. Gjykata e kishte dënuar Gjioveshajn me 12 vite burg, ndërsa Meçen me 22 vite. Por Gjioveshaj ishte liruar pak kohë më parë nga burgu.

Ngjarja
Më datë 20.04.2017, rreth orës 23:20, pas një konflikti të çastit, në ambientet e lokalit “Fiks Fare” në lagjen “Ujë i ftohtë” është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë dhe ka humbur jetën shtetasi Ergys Gjioveshaj, 33 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu, kanë mbetur të plagosur edhe 3 shtetas të tjerë:
1- F.H., 28 vjeç, ndodhet në Spitalin e Vlorës (punonte si muzikant).
2- A.L., 26 vjeçe, ndodhet në Spitalin e Vlorës (kliente në lokal).
3- A.Ll., 33 vjeç, ndodhet në Spitalin e Tiranës (punonte si kamarier në lokal).
Të tre, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.

Pas një pune hetimore intensive, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në qytet përgjatë gjithë natës, Policia e Vlorës ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në një banesë në lagjen “Ujë i Ftohtë” pranë vendit të quajtur “7 pallatet” në orët e para të mëngjesit të sotëm (06:00) e shtetasit: Gani Tozaj, 19 vjeç, banues në fshatin Sevaster, Vlorë.

Gjithashtu Policia ka shpallur në kërkim shtetasit:

1- A.K., 37 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.

2- E.S., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzim Krimi”.

Dyshohet se konflikti ka nisur ndërmjet viktimës dhe autorëve për motive të dobëta.

Në vendngjarje, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– 1 armë zjarri Pistoletë të llojit “Revolver-Magnum”,
– 15 gëzhoja fishekësh.

Vazhdojnë hetimet me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve të shpallur në kërkim. Po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb