TIRANË- U desh heqja dorë e dy grave demokrate nga mandati që radha t’i vijë biznesmenit Astrit Veliaj për t’u bërë deputet. Dorëzimi i mandatit nga ish-deputeti i Beratit Eduard Halimi ka hapur shumë punë brenda PD-së. Duke qenë se PD nuk kishte respektuar kuotat gjinore, mandati i Halimit do t’i kalonte një gruaje dhe radha ishte e psikologes Juvina Jani, e renditur e gjashta në listë.

Por ajo deklaroi se nuk e pranonte mandatin për arsye familjare, kështu që një tjetër grua do ta zëvendësonte. Por edhe laborantja Monika Qosja ka hequr dorë, duke i hapur rrugë kështu Astrit Veliajt drejt parlamentit.

“BalkanWeb” ka siguruar dokumentet që dy zonjat kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku japin zyrtarisht dorëheqjen nga mandati. Letrat mbajnë të dyja datën 9 shkurt, dita kur Halimi deklaroi zyrtarisht lënien e mandatit.

Përveç gjeneraliteteve dy shkresat janë të njëjta dhe të dyja deklarojnë se ky vendim ka ardhur për arsye personale dhe është marrë me vullnet të lirë.

DORËHEQJA E JUVINA JANIT
“Unë Juvina Fejzi Jani, lindur në Berat dhe e regjistruar me nr.6 në listën shumëemërore të kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike në qarkun Berat, për arsye personale, në mbështetje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, jap dorëheqjen e parevokueshme nga kandidimi, zgjedhja apo mandati si deputet për në Kuvendin e Shqipërisë.
Ky akt vullneti i lirë për dorëheqje nga funksioni, shoqërohet me mirënjohjen time të thellë për mbështetjen e qytetarëve të Beratit, si dhe mundësinë që kisha për të kandiduar në zgjedhjet e 25 qershorit 2017 për në Kuvendin e Shqipërisë”.

Jani doreheqja

DORËHEQJA E MONIKA QOSJES
“Unë Monika Asqeri Qosja, lindur në Berat, dhe e regjistruar me nr.7 në listën shumëemërore të kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike në Qarkun Berat, për arsye personale, në mbështetje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, jap dorëheqjen e parevokueshme nga kandidimi dhe zgjedhja si deputet për në Kuvendin e Shqipërisë.
Ky akt vullneti i lirë për dorëheqje nga funksioni, shoqërohet me mirënjohjen time të thellë për mbështetjen e qytetarëve të Beratit, si edhe mundësinë që kisha për të kandiduar në zgjedhjet e 25 qershorit 2017 për në Kuvendin e Shqipërisë”.

Dorëheqja e Monika Qosjas
Dorëheqja e Monika Qosjas

(m.k/BalkanWeb)