TIRANE- Ministrat teknikë të Partisë Demokratike largohen sot nga Qeveria “Rama”, në të cilën u përfshinë si pjesë e marrëveshjes Rama Basha para tre muajsh me qëllim monitorimin nga afër të sjelljes së administratës në zgjedhje dhe për të garantuar standardin e tyre.

Gazetarja Marsela Karapanço konfirmon për News 24 dhe BalkanWeb se ministrat pritet të japin gjatë ditës së sotme dorëheqjen pasi përfunduan raportin për standardin e zgjedhjeve. Të njetat burime saktësojnë se kompetencat do t’i delegojnë tek zv.ministrat deri me krijimin e qeverisë së re në shtator.

“Ne nuk kemi çfarë të bëjmë më në qeveri. Ne e kryem detyrën tone”,- mësohet të jenë shprehur ministrat.

Përveç ministrave, po sot pritet të japë dorëheqjen edhe zv.kryeministrja Ledina Mandija dhe për të bërë këtë, ata nuk do t’i pengojë mungesa e kryeministrit Rama për shkak të pushimeve, sepse as zëvendëskryeministrja dhe as ministrat teknikë nuk u takuan asnjëherë këto 3 muaj me kreun e qeverisë shqiptare.

Hallka lidhëse ishte Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, nëpërmjet të cilit kalonin vendimet dhe kryhej komunikimi për funksionimin e tyre.

Pak ditë më parë lidhur me qëndrimin e tyre ende në qeverinë “Rama” reaguan ashpër edhe aleatët e Partisë Demokratike, kryerepublikani Mediu dhe Dashamir Shehi, të cilët i kërkuan Lulzim Bashës të largojë urgjent ministrat e saj teknikë nga qeveria dhe të mos e kthejë në qesharake dhe kompromentuese opozitën.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb