Sot janë luajtur sfidat e dyta të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë ku Tirana dhe Skënderbeu kanë mundur kundërshtarët respektivë duke siguruar finalen e trofeut të dytë më të rëndësishëm në vendin tonë.

Njëjtë si në Korçë, ashtu edhe në Durrës, Teuta është mundur 0-1 nga Skënderbeu falë golit të Liridon Latifit në të 51-n minutë. Djemtë e drejtuar nga Gugash Magani nuk ia kanë arritur të përmbysin rezultatin duke i dhënë fund shpresës për trofe në këtë sezon.

Skuadra tjetër finaliste është Tirana që mundi Besëlidhjen 2-0 në “Selman Stërmasi”. Bardheblutë në takimin e parë me lezhianët u ndanë në barazim 1-1 duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e dytë, por siç duket fati ju ka buzëqeshur. Për kryeqytetasit shënuan Taku në të 24-ën dhe Hoxhallari në të 40-ën.

Kujtojmë që Skënderbeu pavarësisht se ka fituar 6 herë kampionatin në vitet e fundit, nuk e ka bërë asnjëherë të vetin në histori Kupën e Shqipërisë, ndërsa Tirana është ekipi i parë që ka fituar trofeun e dytë më të rëndësishëm të vendit.

Këto skuadra e kanë diskutuar ndërmjet tyre këtë trofe edhe më 17 maj të 2012 ku triumfuan bardheblutë që këtë herë e kanë më të domosdoshëm fitimin e këtij trofeu për të mos e shpallur të dështuar sezonin. Ndërsa Skënderbeu nuk do lejojë që t’i ikë dy herë nga duart për fajin e kryeqytetasve.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb