Nga Italia vjen konfirmimi se Xhani De Biazi ka bërë zgjedhjen për vendin që la bosh si drejtues i stafit teknik Paolo Tramexani. Pozicionin që e mbajti për më shumë se katër vite ish numri 2 i kombëtares do ta zejë sërish një tjetër italian. Portali i gazetarit të njohur italian Xhianluka Di Marzio ka bërë të ditur se Marko Veronese do të jetë asistenti i ri i teknikut të përfaqësueses shqiptare.

Ashtu si herën e parë, De Biazi ka vendosur t’i besojë sërish një ish futbollisti të tijit. Veronese ka qenë nën urdhërat e De Biazit në vitin e sukseshmëm të Modenas, ku italiani e ngjitit ekipin nga C1 në A, me lojtarin që mbajti një peshë të madhe në sulm.

Veronese, ndonëse i dale nga akademia e Interit si sulmues me perspektivë, ka kaluar karrierën e ti si futbollist në ekipe të vogla derisa e mbylli atë përfundimisht te Pavia. Ai drejtoi ekipin e paratërinjve të këtij klubi para se të bëhej asistent i Fulvio Pea te pankina e Monxës dhe Kremonezes.

Veronese pritet që të udhëtojë së shpejti drejt Tiranës për të nënshkruar kontratën e re dhe ende nuk është bërë e ditur nëse italiani do të merret edhe me zbulimin dhe ndjekje e talenteve siç bënte Tramexani para tij.

Duhet theksuar se njoftimi nuk ka ardhur nëpërmjet zyrës për shtyp të FSHF-së, ashtu siç duhej të ndodhte normalisht, por i është komunikuar mediave italiane.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb