Trupa artistike e shfaqjes “Zbutja e kryeneçes”, mirëpriti gjatë provave të zhvilluara në sallën “Kadri Roshi” të Teatrit Kombëtar, ambasadoren Jiang Yu.

Diplomatja kineze në vendin tonë, përshëndeti gjithë trupën artistike dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli.

“Erdha për t’ju përshëndetur dhe për të qëndruar pak minuta, duke menduar se duke mos ditur gjuhën nuk do të ishte e mundur ta kuptoja shfaqjen, por interpretimi aq shprehës i aktorëve, kaq të talentuar dhe shfaqja në tërësi ishte aq e bukur, sa gjuha nuk ishte më pengesë për mua për ta shijuar atë”, vlerësoi ambasadorja trupën e aktorëve.

Ajo u shpreh e sigurt se “edhe publiku kinez do ta presë me shumë ngrohtësi dhe ovacione interpretimin tuaj dhe jam e sigurt se kudo që të shkoni kur të jeni në Kinë dhe të thoni që jeni shqiptarë, mikpritja e tyre ndaj jush do të jetë akoma më e madhe. Suksese të gjithëve”.

Pas përshëndetjes me trupën, Jiang Yu së bashku me bashkëshortin e saj dhe me përfaqësues të tjerë nga ambasada kineze qëndroi deri në përfundim të shfaqjes duke e shijuar atë deri në fund.

Këtë të shtunë, trupa e Teatrit Kombëtar është nisur për në Xi’an, një nga 10 qytetet më të lashta në botë.

Për herë të parë ‘Zbutja e kryeneçes”, me regji të Elma Doresit do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove që këtë vit organizohet në Kinë.

Kjo shfaqje do të ngjitet në skenën e Teatrit në Xian dhe Fuzhou.

“Zbutja e Kryeneçes” është një komedi nga William Shakespeare dhe mendohet të jetë shkruar diku rreth 1590 – 1592. Një komedi e ndërtuar me pesë akte dhe dymbëdhjetë skena./ata/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: