Episodi i penalltisë në minutën e 93 kundër Juventusit që vendosi për kualifikimin e Realit në gjysmëfinale të “Champions League” do vazhdojë të komentohet gjatë në mediat botërore, për shkak se ajo ishte e dyshimtë.

Kampionët e “Seria A” ishin pranë të pabesueshmes sepse po udhëhiqnin 0-3 dhe ai vendim shkaktoi zemërim aq të madh sa Buffon u nxorr me të kuqe. Më tej Chiellini akuzoi lojtarët e Realit se kishin paguar arbitrin, duke lënë të kuptohet se ai ishte i njëanshëm.

Nga raportimet e fundit zbulohet se sherri i madh që nisi në fushë ka vazhduar edhe në tunelin e stadiumit.

“Lojtarët e Juventusit ishin të zemëruar dhe u përpoqën t’i bënin lojtarët Real Madridit për ta paguar”, – tha një burim për “Goal”. Sergio Ramos, i cili ishte pezulluar për ndeshjen e së mërkurës, ishte në tunel pas përplasjes dhe luajti rolin e paqeruajtësit, duke ndihmuar që konfrontimi të mos kthehej në diçka më shumë se zemërim.

Por, puna e tij për të ndalur një grindje mes dy ekipeve është njëra anë e medaljes, ndërsa prania e Ramosit në tunel mund të shkaktojë një çështje tjetër për Real Madridin. Pasi ishte pezulluar nga ndeshja e së mërkurës, mbrojtësi u pa duke shikuar fundin e lojës nga stoli madrilen, madje përfundoi edhe në tunel.

Mediat spanjolle raportojnë se Oliver e ka vënë në dukje praninë e Ramosit në tunel në raportin e tij pas ndeshjes, çka do të thotë se 32-vjeçari mund të përballet me një tjetër pezullim nga UEFA, nëse do të gjendet se ishte në kundërshtim me rregullat në lidhje me lojtarët e pezulluar, që janë në fushë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb