Nga: OLA MITRE*
TIRANE- Sëmundjet e zemrës nuk po kursejnë as 30-vjeçarët, ndërkohë që stresi është një nga shkaqet kryesore që ka ndikuar në krijimin e kësaj situate. Në Ditën Botërore të Zemrës, shefi i Shërbimit të Kardiologjisë në QSUT, Artan Goda, e vuri theksin te domosdoshmëria e ndryshimit të stilit të jetesës, si një mënyrë për parandalimin e këtyre sëmundjeve. “Nga të dhënat e kabineteve të kardiologjisë në QSUT dhe në rrethe, vihet re se në dekadën e tretë të jetës, numri i të trajtuarve është rritur në mënyrë substanciale. Kjo lidhet me stilin e jetesës dhe rritjen e nivelit të stresit në popullatën tonë”, tha prof.

Goda. Po ashtu, ai bëri me dije edhe të dhënat më të fundit rreth të prekurve nga këto sëmundje, sipas të cilave vihet re një rritje e dukshme e rasteve të reja. “Prevalenca e sëmundjeve të zemrës është në rritje. Kështu, për sëmundje si hipertensioni kemi një prevalencë në popullatën shqiptare rreth 40%, për sëmundjet koronare të zemrës që prodhojnë infarktin akut në popullatën adulte, prevalenca shkon deri 20% dhe shifrat kanë ardhur duke u rritur vitet e fundit”, u shpreh shefi i Kardiologjisë.

TRAJTIMI
Ndërkaq, zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodia Rjepaj e cilësoi si një sfidë të qartë, uljen e vdekshmërinë nga problematika kardiovaskulare, uljen e sëmundshmërinë
dhe promovimin e jetesës së shëndetshme”. Rjepaj e vuri theksin në shtimin e financimit nga qeveria për trajtimin e sëmundjeve të zemrës, duke veçuar ofrimin e paketave shëndetësore të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë në spitalet publike dhe private, me financim publik. “Në këto muaj të parë është arritur të kryhen rreth 3500 procedura, nga të cilat 800 janë kryer në spitalet jopublike dhe janë përfituar falas nga qytetarët”, tha zv/ministri i Shëndetësisë.
PARANDALIMI
Pavarësisht se sëmundjet kardiovaskulare janë shkaktaret kryesore të vdekjeve në vendin tonë, sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, 61% të shkaktarëve të tyre i kemi vetë në dorë. Për këtë arsye ISHP e vë theksin te kontrolli apo trajtimi i rregullt i hipertensionit, shmangia e duhanpirjes, ushqyerja me fruta e perime apo të qenit më aktiv, që janë disa nga masat që mund të marrë çdokush për të mos u prekur nga sëmundjet e zemrës. “Aktiviteti fizik nuk është vetëm ushtrime, stërvitje, por përfshin edhe të luajturit jashtë me fëmijët, përdorimin e shkallëve, bërjen e punëve të përditshme, shkuarjen në punë me biçikletë. Nëse përdorni transportin publik, zbrisni një stacion para dhe ecni më këmbë. Ushqehuni në mënyrë të shëndetshme për zemrën: dietat me yndyrna shtazore dhe transyndyrnat, sheqeri dhe kripa rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru. Një dietë e ekuilibruar, e pasur me fruta dhe perime ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru. Përpiquni të reduktoni madhësinë e porcionit të ushqimeve më pak të shëndetshme dhe rrisni porcionin e ushqimeve të shëndetshme. Provoni të shkëmbeni ushqimet, nëse ju pëlqejnë gjërat e ëmbla, provoni frutat në vend të çokollatës. Nga ana tjetër, duhanpirja shkakton 10% të
sëmundjeve kardiovaskulare. Ndërkohë që, 15 vjet pas ndalimit të duhanpirjes, rreziku i krizave të zemrës ulet në të njëjtin nivel si personat që nuk kanë tymosur kurrë”, rekomandojnë specialistët e shëndetit publik.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: