Nga: Jorgji KOTE

Këto nuk janë thjesht tri fjalë, por logo kyç të lidhura pazgjidhshmërisht me fenomene madhore të shoqërisë së sotme. Aq sa të ngjashme janë në shkrim dhe shqiptim, po aq shpejt dhe lehtë mund të kalojnë nga njëra te tjetra në kapërcime cilësore pozitive, por shpesh dhe me pasoja serioze politike, ekonomike, sociale dhe institucionale.

Le ta konkretizojmë këtë me tri aspekte të mirënjohura – zgjedhjet pluraliste, integrimin europian dhe krizën e azilit.

Në fillimet e demokracisë, zgjedhjet e lira pluraliste u «hyjnizuan» si zgjidhja magjike e gjithë halleve dhe problemeve të shoqërisë. Pa mohuar rëndësinë e tyre jetike, vërtet që në raste ndërrimi sistemesh, krizash dhe konfliktesh politike zgjedhjet e reja, qoftë dhe të parakohshme, janë rrugëzgjidhja më e mençur, por kurrsesi e përhershme; madje dhe kur zhvillohen sipas të gjitha standardeve ndërkombëtarisht të njohura; ca më pak, kur këto zgjedhje janë të kontestueshme. Kështu, qeverisja demokratikase e vitit 1992 doli nga zgjedhje pluraliste përgjithësisht të mira, por dihet se si vota plebishitare e 22 marsit çoi në farsën elektorale maj 1996 dhe për pasojë në zgjedhë politike – me autoritarizëm, me shkelje të të drejtave të njeriut, censurimin e shtypit, burgosjen politike të liderit të opozitës, etj. që kulmuan me shpërthimin e megakrizës së piramidave në vitin 1997.

Po ashtu, te fqinjët tanë grekë, qeveritë që drejtuan dhe çuan Greqinë drejt falimentit financiar ishin produkt i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme; edhe Brexit në Britani dhe së fundi dy partitë populiste që do të qeverisin Italinë dolën nga zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por, kush mund të garantojë se, veç protestës dhe rebelimit kundër elitave drejtuese këto zgjedhje në Britani, Itali dhe gjetkë do të ofrojnë dhe zgjidhje efikase?

Përvoja ndërkombëtare tregon se zgjedhjet e lira dhe të ndershme kthehen në zgjidhje të qëndrueshme vetëm kur shoqërohen me ligje dhe në praktikë me komponentët e tjerë të «dekalogut demokratik » – qeverisja e mirë, konsensusi, toleranca, respektimi i pakicës opozitare, shtypi i lirë, shoqëria civile, liria e fjalës, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, mosdiskriminimi politik, gjinor, fetar, krahinor, etj. Ndryshe, ato kthehen në farsë elektorale dhe në zgjedhë diktatoriale, ku Nikaragoja është shembulli më i freskët.

Ndaj, nuk ka pse rezultatet e këtyre zgjedhjeve, qofshin dhe më të mirat, prej të cilave ne jemi shumë larg të përdoren si mburojë politike; ca më pak ta vringëllihet numri i votave të fituara si kërcënim për ata që mendojnë ndryshe apo gjethe fiku për të mbuluar mangësitë dhe dështimet e rastit. Sepse kur vjen në pushtet përgjegjësinë për qeverisje e merr dhe për ata që kanë votuar ndryshe, kundra apo që nuk kanë votuar fare.

Duke kaluar në aspektin e dytë, jo në një rast të vetëm politika jonë ka paralajmëruar BE-në që, nëse nuk do të çelin negociatat e anëtarësimit, atëherë ka zgjidhje të tjera alternative!

Pas këtyre «kërcënimeve» pavend, krerët e BE-së kanë rikujtuar me të drejtë se anëtarësimi në BE është zgjedhje e vetë vendeve kërkuese dhe Shqipërisë në rastin konkret. Dhe themelimi nga gjashtë vendet e para dhe zgjerimi i BE-së me 28 vende dhe me 6 shtete kandidate nuk është bërë me imponim qoftë dhe të nënkuptuar, por mbi baza të zgjedhjes vullnetare. Madje, nga fundi i tij, ishte vetë regjimi ynë monist që kërkoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me BE-në, edhe pse deri atëherë e konsideronte si «armikun më të madh të socializmit». Ishte vetë populli ynë me protagonistë studentët që në dhjetorin e pluralizmit politik lëshoi kushtrimin emblematik «Të shkojmë në Europë» dhe «Ta bëjmë Shqipërinë si Europa» Në fakt, kemi 20 vjet që këmbëngulim për t’iu bashkëngjitur këtij bashkimi emblematik vlerash, parimesh dhe interesash të njohura si BE-ja.

Ndonëse dhe kjo e fundit ka interesat e veta, integrimi evropian është mbi të gjitha zgjedhja jonë. Madje dhe kushtet/përparësitë e shumëpërfolura janë në radhë të parë nevojë jetike e zhvillimeve tona të brendshme.

E megjithatë, sërish është gabim të fetishizohet kjo zgjedhje europianiste si «kura, shkopi dhe zgjidhja magjike» e të gjitha halleve dhe problemeve tona jetike, të trashëguara dhe të krijuara rishtaz. Këtë e dëshmon përvoja e disa vendeve anëtare të BE-së dhe krizat serioze që kanë përfshirë këtë të fundit, duke zbehur shkëlqimin e saj të mëparshëm. Sepse siç pohoi Kancelarja Merkel disa ditë më parë «edhe vlerat europiane janë të brishta dhe mund të thyhen kur mungon vullneti politik» Fitoret e populistëve, euroskeptikëve dhe ekstremit të djathtë në Europë janë vetëm disa prej dëshmive «ulëritëse» në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, çdo devijim ose largim nga këto vlera drejt aleancash të çastit, të dyshimta dhe koniunkturore në kurriz të vlerave në fjalë për hir të përfitimeve të çastit, qoftë dhe disa fondeve, ndërtimit të disa rrugëve, infrastrukturës, kishave dhe xhamive janë të mbarsura me shumë të panjohura dhe rreziqe. Përvoja e dy luftërave botërore dhe e mëvonshme tregon se shumë shpejt, në vend të zgjidhjes do të kishim një zgjedhë; natyrisht jo si zgjedha otomane, fashiste apo moniste, por zgjedhë ekonomike, sociale, të shtypjes së vlerave dhe të lirive themelore, qoftë dhe për pakicën e shoqërisë. Sepse, siç ka thënë Presidenti Kenedi 55 vjet më parë pranë Murit të Berlinit: «Paqja e vërtetë dhe e përhershme në Europë nuk mund të jetë e sigurt, për aq kohë sa dhe qoftë një qytetari të vetëm i mohohet e drejta më elementare që të zgjedhë lirisht me vullnetin e vet”.

Së treti, sa herë vjen fjala për emigrimin e mijëra shqiptarëve, qeveria justifikohet se kjo është zgjedhja e individit të lirë për jetën e vet. Ndërsa opozita dhe aktorë të tjerë e konsiderojnë këtë dukuri shqetësuese si rrugëzgjidhjen e vetme të halleve dhe problemeve që e bëjnë pothuajse të pamundur jetën në vendin e tyre.

Për hir të së vërtetës, azili është «zgjedhje» dhe «zgjidhje». Është zgjedhje për pakicën e atyre shtetasve që falë kualifikimit, nevojave të tregut të huaj etj., e shohin atë si alternativë për një jetesë më të mirë se në atdhe. Kjo është dukuri normale dhe ndërmjet vendeve anëtare të BE-së.

Veç kësaj, azili nuk vjen vetëm për shkaqe ekonomike dhe mbijetese. Sepse në mesin e atyre që zgjedhin të emigrojnë ka dhe afaristë, artistë, zanatçinj, madje dhe pushtetarë lokalë me të ardhura shumë më të mira, pra me «shtëpi dhe katandi»; kësisoj, nga ana materiale dhe ekonomike, ata mund të jetojnë fare mirë në atdhe; mirëpo, jeta nuk është vetëm paraja, shtëpia dhe biznesi, qoftë dhe luksi. Për një numër të madh njerëzish, po aq, në mos më e rëndësishme janë mjedisi rrethues social, cilësia e jetës, lumturia e vërtetë që cenohet seriozisht nga dukuri në rritje tejet negative, sidomos për fëmijët e tyre, mungesa e kulturës së bashkëjetesës, përshkallëzimi në përmasa të frikshme e dhunës kudo e sidomos në familje, mungesa e drejtësisë, korrupsioni galopant, krimi i organizuar dhe lista vazhdon.

Është e vërtetë se dukuri të tilla ndodhin dhe në vendet më të përparuara perëndimore; por me gjithë mangësitë dhe problematikën atje ka standarde më të mira drejtësie, sigurie dhe jetese; gjithashtu, dhe dukuritë negative dhe të dhunshme nuk janë aq të shumta e të shpeshta sa në Shqipëri. Mbi të gjitha, administrata publike, mjekësia, shërbimet jetike, gjetja e një vendi pune, pushteti vendor, etj. janë të konsoliduara, shumë më pranë njerëzve dhe pa lidhje me ndryshimet politike.

Ndaj, është miopi politike dhe sociale me pasoja që duke e trajtuar kryesisht si zgjedhje, të injorohet varianti i azilit dhe si “zgjidhje nga halli e jo nga malli”. Aq më tepër, që pa hyrë në shifra, numri i atyre që e duan këtë « zgjidhje» është pa diskutim shumë më i madh. Sakrificat e panumërta që ata bëjnë brenda dhe jashtë vendit, mes rreziqesh të mëdha dhe për fëmijët e tyre tregon sa e fuqishme është tërheqja drejt kësaj zgjidhje të detyruar për t’i shpëtuar zgjedhës social- ekonomike të mbijetesës.

Gabimin tjetër politikanët dhe sidomos qeveritarët tanë e bëjnë kur mohojnë ose zbusin shkaqet e vërteta të azilit si rrugëzgjidhje dhe abuzojnë me llogaritje dhe krahasime statistikore mbi rritjen e nivelit të punësimit, të ardhurave, të pagave dhe pensioneve apo dhe të huajve që zgjedhin të jetojnë në Shqipëri. Le të jemi seriozë dhe të sinqertë, pa mohuar këto shifra bashkë me përmirësimet dhe përpjekjet e qeverisë në këtë fushë, niveli i këtyre dhe të tjerë treguesve te ne është ende shumë larg kërkesave minimale për mbijetesë për shumicën; gjithashtu, treguesit tanë janë larg atyre të vendeve anëtare, por dhe kandidate të BE-së të rajonit tonë; ndërsa me vendet e tjera perëndimore as që kanë të krahasuar.

Veç kësaj, me gjithë projektet dhe programet e qeverisë, disa dukuri negative tashmë janë kthyer në «traditë» dhe kulturë» dhe do të duhet shumë kohë për t’u rregulluar; në një kohë që te një pjesë e konsiderueshme e popullsisë, sidomos te rinia ka humbur durimi dhe besimi te e ardhmja. Renditja e vendit tonë në vendet e fundit të Indeksit të Lumturisë të BE-së të publikuar këto ditë është dëshmia më e freskët e këtyre dukurive të dhimbshme.

Ja pse kërkohet kujdes dhe realizëm në trajtimin e këtyre tri logove, që zgjedhjet e duhura të shmangin çdo zgjedhë të re dhe t’i çelin rrugën zgjidhjeve të qëndrueshme demokratike.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/05/23/zgjedha-zgjedhja-dhe-zgjidhja/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: